Operacioni “Western Union”, 8 të arrestuar

25/05/2014 00:00

Policia e Vlorës ka arrestuar dje një bandë mashtruesish në qytetin e Vlorës. Duke futur në kurth banorë të ndryshëm, ata ju merrnin atyre para’ në formën e ndihmës.

Të arrestuarit janë Shuaip Sherif Nuredini, 28 vjeç, Detjon Vasil Rrapo, 22 vjeç, Taulant Jakup Elezi, vjec 26 vjeç, Xhuliano Besnik Muçaj, 18 vjeç, Sherif Shuaip Nuredini, 54 vjeç, Fatiko Ismail Çoçaj, 26 vjeç, Fatmir Engjëll Dashallav, 33 vjeç, të gjithë nga Vlora dhe 52-vjeçarja Margarita Nezir Jonizi, banuese në Tiranë, e cila siguronte dokumentat zyrtare për tërheqjen e parave.

Ndalimi i këtyre shtetasve u krye pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë arritur të krijojnë një skemë mashtrimi pre’ e së cilës në muajt e fundit kanë rënë mbi 30 shtetas të ndryshëm.

Këta shtetas, pasi siguronin numrin e telefonit të një personi, mblidhnin të dhëna rreth familjes dhe të afërmve të tyre, nëpërmjet telefonit i prezantoheshin si i afërmi i tyre duke ju kërkuar shuma parash të cilat të mashtruarit i depozitonin në emër të të afërmit të tyre në pika të ndryshme të transfertës së parave.

Më pas, këta shtetas arrinin të tërhiqnin shumat e parave nga pikat e transfertave të parave duke përdorur dokumenta dhe firma të falsifikuara. Shumat e parave që këta shtetas ju kanë vjedhur personave të ndryshëm varionin nga 10.000 deri në 50.000 lekë.

Policia po kërkon për të tjerë persona si dhe i bën thirrje atyre që janë mashtruar të denoncojnë rastet.

Top Channel