Komunitetet fetare kundër LGBT

25/05/2014 00:00

Një javë pas marshimit të përfaqësuesve të aleancës kundër diskriminimit gjinor LGBT, në ditën ndërkombëtare të tyre, drejtues të komuniteteve fetare në Shqiperi, gjatë një simpoziumi, theksuan rëndësinë e familjes, si themeli i një shoqërie të shëndoshë.

“E keqja përhapet nëpërmjet rasteve, qofshin edhe sporadike, të këqija, duke krijuar përshtypjen se ata e kanë fituar tashmë betejën me ne. Ndërkohë që orientimi nga e mira, nga vlerat, e zvogëlon të keqen dhe e orienton shoqërinë drejt së mirës. Dhe nëse ne do të merremi vetëm me dhunën, me veset, me të keqen, duke mos e vënë theksin tek e mira, do të lejmë hapësira për të keqen, që të prezantohet si normalitet brenda nesh”, tha Ilir Hoxholli, kryetar i Komitetit shtetëror për Kultet.

“Familja është elementi themelor i shoqërisë. Ajo është shtylla më e rëndësishme e saj. Nëna është elementi më i rëndësishëm i familjes që përgatit një komb. Nëna është dora e shenjtë që e gatuan një komb, si dhe ngritësja e folesë familjare, që përbën qelizën e parë të shoqërisë”, u shpreh Genti Kruja, përfaqësues i Komunitetit Musliman të Shqipërisë.

“Familja është në të vërtet ajo pjesë mikro e shoqërisë njerëzore, ku të gjitha sistemet makro të shoqërisë në çdo nivel, atë të moralit, kulturës, etikës, drejtësisë sociale, barazisë dhe paqebërjes, brenda familjes zhvillohen në fazën e tyre të plotë, veçse në nivelin mikro. Një familje e shëndetshme në këto drejtime, natyrisht që do të profetizojë apo do të qëndrojë si një lapidar, për një shoqëri po aq të shëndetshme”, tha Reverent Akil Pano, Sekretar i Përgjithshëm i Vllazërisë Ungjillore.

Edhe përfaqësuesit e komunitetit katolik e ortodoks theksuan se, vetëm besimi në Zot mund të ulë sulmin, që po përjeton instuticioni i familjes.

“Familja sot është e sulmuar dhe shumë i çuditshëm është fakti që këto sulme po bëhen nën maskimin e të drejtave. E drejta e homoseksualëve, që të formojnë një marrëdhënie, që të njihet si martesë me të gjitha të drejtat e të martuarve. Politika ka pushtet, por besimi ka diçka më të fortë: ndikimin. Politika mund t’i ndryshojë strukturat, por vetëm besimi mund t’i ndryshojë zemrat”, tha Don Henri Val-Kepm, përfaqësues i Kishës Katolike.

“Besimi fetar e ushqen familjen, ose bëhet një ndihmës i rëndësishëm në formizimin, zhvillimin dhe qendrueshmërinë e familjes, nëpërmjet dialogut, debatit dhe përvojës shoqërore dhe familjare që jetojnë brenda besimit”, tha Thoma Çëmeni, përfaqësues i Kishës Ortodokse.

Përfaqësues të komuniteteve fetare kishin shprehur të njëjtin qëndrim edhe vitin e kaluar, pas promovimit të lëvizjes LGBT, ndërsa kjo është hera e parë, që ata artikulojnë qëndrimin e tyre në mënyrë të përbashkët, nëpërmjet një simpoziumi dedikuar vlerave të familjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA