
Mazhoranca rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për të ngritur një tjetër komision parlamentar hetimor për trafikun e drogës.
Vetëm kjo çështje konsumoi plot dhjetë orë debat, ku numrin më të madh të diskutimeve e patën deputetet e opozitës. Por më shumë se te procedurat parlamentare të hetimit, demokratet akuzuan drejtuesit e qeverisë për lidhje me narkotrafikun.
Palët shkëmbyen replika dhe akuza. Berisha tha se opozitës iu mohua një e drejtë kushtetuese, ndërsa Rama theksoi se shumë shpejt opozita do përballet me dijeninë për avionë që nuk janë kapur.
Ndërkohë që gjatë kësaj seance Kuvendi ka miratuar për projektvendimi për vendin vakant tek AMA.
“Si ia mohoni një të drejtë kushtetuese opozitës, të drejtën e komisionit hetimor për trafikun që ka pushtuar vendin, kur Meta dhe Rama thonë janë avionë mushkonjash”, tha Sali Berisha.
“Ju flisni me siguri për trafikun se keni nga sms-të që ju vijnë, por nga eksperienca dhe shumë shpejt ndoshta duhet të përballeni me dijeninë për avionë që nuk janë kapur. Sa për komision aty e keni, s’mund t’ju vijmë pas sa herë ndërroni mendje ju”, tha Kryeministri Rama.
Ish Kryeministri Berisha,ka bërë një tjetër akuzë në Parlament, kur tha se kryeministri Rama i ka dërguar presidentit një zëdhënës me para, siç e quajti ai për të blerë kreun e shtetit.
“Presidenti u tregoi dinjitet, e ka çuar dosjen ne Prokurori. Ky shembull për të treguar pafytyrësinë e Edi Ramës dhe mafiozëve me të cilët jeton. Presidenti është shkëmb i pamposhtur, nuk mund ta mposht mafia atë”, tha Berisha.
“Ju bëni si të doni, por ndajeni këtë punë. Çfarë revolte keni atë të kultivuesve apo atë të anti-drogës, jeni me kultivuesit apo kundër drogës?”, u shpreh Kryeministri.
“Nuk ikim nga Parlamenti sepse jemi në prag të statusit dhe nuk do të japim kurrë shkas që të përdoret largimi jonë nga Parlamenti, jo ne do të jemi këtu. Ne e mbështesim statusin sepse Shqipëria e meriton, por këtë që bëni ju e çoni vendin drejt përtalljeve shumë të mëdha”, deklaroi Berisha.
“Të jeni të sigurt për një gjë, po bëni një gabim të madh që nuk po merrni meritën që ju takon akoma edhe për pak kohë për statusin e vendit kandidat. Merreni edhe ju atë pjesë të meritës që ju takon dhe mos u diskreditoni me kaq shpejtësi në njësinë e kohës se keni shumë kohë përpara. Mes nesh duhet të them se nuk und të bëjmë më shumë se kaq realisht. Jeni në një gjendje shumë të rëndë dhe më e keqa është se doktorin vazhdoni ta keni pacientin më të madh, për këtë nuk ju ndihmojmë dot. Një gjë është e sigurt që ne ju duam këto sa më pranë rolit si opozitë”, shtoi Rama.
Top Channel