Kuvendi vendos plotësimin e AMA-s

22/05/2014 00:00

Mazhoranca ka vendosur hapjen e vakancës për kryetarin e Autoritetit të Mediave Audiovizuale, duke i hapur kështu rrugë procedurave për zëvendësimin e katër vendeve të mbetura bosh në këtë instuticion.

Opozita, përmes deputetit Genc Pollo, është shprehur kundër duke deklaruar se po cënohen institucionet e pavarura. Pollo tha se nuk është e vërtetë se ky institucion nuk ka funksionuar, duke theksuar se opozita ka kërkuar zëvendësimin e tre anëtarëve dhe jo katër siç ka dalë nga memoja e fundit.

Por, deputeti Alfred Peza ka argumentuar se zëvendësimi i anëtarëve të AMA-s, përfshirë edhe kryetarin, është plotësisht i ligjshëm duke argumentuar se zonja Bushati, edhe pse i kishte përfunduar mandati që prej datës 24 shtator të vitit 2012, vijonte të ushtronte postin e saj si kryetare në mënyrë të jashtëligjshme.

Peza tha se rizgjedhja është i vetmi moment juridik që krijon një marrëdhënie të re ligjore për anëtarin e për pasojë edhe për pozicionin e kryetarit.

Me këtë vendim hapet konkurimi për plotësimin e katër vendeve bosh në AMA, çka e kishte kthyer këtë institucion në pamundësi për të vepruar normalisht prej të paktën 2 vitesh.

Top Channel