Presidenti Bujar Nishani ju drejtua me një apel të fortë profesionistëve në sistemin e drejtësisë dhe vetëm atyre gjyqtarëve që i konsideron si pjesa e shëndoshë që të izolojnë të korruptuarit.

“Ka ardhur dita që pjesa e shëndetshme e sistemit të drejtësisë të veprojë aktivisht dhe të bëhet model orientues e përgëzues në veprimtarinë e përditshme të sistemit të drejtësisë duke izoluar çdo ditë e më shumë modelet e korrupsionit dhe mungesës së profesionalizmit. Po ashtu, ka ardhur dita që fjalë kyçe në veprimtarinë e përditshme duhet të jetë gjithëpërfshirja”, theksoi zoti Nishani.

Për presidentin, problemi me korrupsionin në drejtësi është vetëm një nga shqetësimet e saj: “Problem që mbetet për t’u trajtuar është lufta kundër korrupsionit, eficenca e gjyqësorit, përfshirë edhe problemet e ngarkesës së çështjeve të prapambetura e tejzgjatja e proceseve gjyqësore. Forcimi i pavarësisë dhe krijimi i një sistemi të efektshëm të ndihmës juridike që do ta bënte drejtësinë të aksesueshme për të gjithë.”

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të projektit të përbashkët 2-vjeçar nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Evropës për efikasitetin e drejtësisë, presidenti shtoi se reforma në drejtësi mundësohet vetëm nëse ka bashkëpunim mes institucioneve.

“Detyra parësore për përmirësimin e sistemit të drejtësisë rëndon mbi vetë profesionistët: gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët mbrojtës”, tha Presidenti i Republikës.

Top Channel