Basha: Kauza jonë, largimi i Ramës

22/05/2014 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një intervistë për Top Channel deklaron se protesta që do të zhvillohet të premten në Tiranë do të jetë vazhdimi i një aksioni politik të opozitës, qëllimi i të cilës është largimi i Edi Rames nga posti i kryeministrit të vendit.

Basha shprehet se opozita nuk synon të bllokojë statusin me protesta, ndërsa shton se ajo synon që ato të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Me zotin Basha bisedoi gazetarja Elona Meço.

Elona Meço: Zoti Basha, cili është qëllimi i protestës së nesërme?

Lulzim Basha: Protesta e nesërme bashkon shqiptarët kundër drogës. Propozimi ynë për daljen nga kjo situatë është që personi i identifikuar si përgjegjës, Edi Rama, të largohet. E para, nuk ka dyshim që të gjithë shqiptarët janë kundër drogës, ndërsa e dyta është qëndrimi ynë politik. Opozita ka për detyrë të verifikojë problemin dhe të propozojë një zgjidhje. Zgjidhja është largimi i Ramës.

Elona Meço: Ka një zgjidhje tjetër politike përveç largimit të Ramës? Keni parë një mundësi për dialog?

Lulzim Basha:
Zoti Rama e ka provuar edhe këtë rast, edhe kur avioni i ra në prehër bashkë me drogën, se nuk pranon faktet por vazhdon me fantazinë, se nuk pranon rrugën e zgjidhjes, por atë të fshehjes së krimit. Prandaj, ai është përgjegjës dhe nuk ka besueshmëri për të luftuar krimin. Vetëm sasitë e kapura në periudhën janar-prill kanë një vlerë prej rreth 300 milionë eurosh. Po sasitë e pakapura? Ku shkojnë gjithë këto lekë? Me këto lekë do blejnë deputetë, ministra, policë, etj. Ky është një mësim i hidhur i mafias së drogës, jo vetëm në Shqipëri por kudo tjetër.

Elona Meço: Pse duhet t’iu besojnë juve shqiptarët?

Lulzim Basha: Zoti Rama ka përgejgëjsitë e tij si kryeministër, ne kemi tonat si opozitë. Ne e kemi evidentuar me fakte e argumente se zoti Rama nuk ka kryer përgjegjësitë, por ka bërë të mundur që trafiku i drogës të marrë këto përmasa dhe që trafikantët të ndihen komod dhe pse jo të mbrojtur nga qeveria që ai kryeson.

Elona Meço: Ju keni filluar protestat kur ne presim të marrim statusin në qershor. E identifikoni veten si pengesë për këtë?

Lulzim Basha: Ne identifikojmë opozitën dhe aksionin e saj si prova më e qartë e një demokracie funksionale në Shqipëri. Ne jemi e vetmja opozitë në Ballkan që ka lobuar dhe lobon për statusin. Statusin e meriton Shqipëria dhe shqiptarët. Por situata është bërë më e vështirë nga arroganca qeveritare. Ne kemi qëndrimin tonë ‘zero kusht për integrimin, mbështetje për statusin’. Ne jemi të pakthyeshëm për ta fituar betejën kundër kartelit të drogës.

Elona Meço: A do të lodheni nëse kjo betejë zgjat 2, 4 apo 12 vjet?

Lulzim Basha: S’ka opsion tjetër në vazhdimin e kësaj beteje. Opsioni tjetër është shkatërrimtar për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë, shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre.

Elona Meço: Nuk dukeni pak pesimist me këtë mesazh që u jepni shqiptarëve?

Lulzim Basha:
Përkundrazi. Iu them shqiptarëve se nuk kemi zgjidhje tjetër. Unë jam optimist për Shqipërinë dhe shqiptarët sepse jam optimist për brezin e ri. Dhe kur brezi i ri i thotë jo drogës dhe po Evropës, nuk ka forcë e aleancë që t’i dalë kundër e të triumfojë mbi këtë vullnet.

Top Channel