Përgatitet riformatimi i KQZ-së

21/05/2014 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të kthehet sërish shumë shpejt në një çështje shumë të nxehtë mes qeverisë dhe opozitës.

Që prej largimit të 3 përfaqësuesve të zgjedhur nga Parta Socilaiste dhe LSI-ja, KQZ-ja ka mbetur me 4 anëtarë dhe pothuajse një vit larg zgjedhjeve të ardhshme lokale, ky insitucion është në pamundesi për të marrë vendime të rëndësishme.

Këtë gjë e pohoi para komisionit të ligjeve kryetarja Lefterije Lleshi. “Ne, që të rishikojmë aktet nënligjore na nevojitet kuorumi. Nuk mund të proçedojmë pasi shumica e akteve normative kërkojnë votat”, deklaroi Lleshi.

Kryetarja e KQZ-së ishte tek komisioni i igjeve për një raport vjetor rutinë, por relatori i Partisë Socialiste, Blendi Klosi dha si zgjidhje për ngërçin riformatimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Por që tani është e qartë se opozita është kundër çdo ndryshimi të njëanshëm të formulës konsensuale.

“Nuk mendoj se kolegët e PD që propozuan anëtarët e KQZ-së të shkojnë në zgjedhjet e ardhshme pa një riformatim të këtij institucioni”, deklaroi Klosi.

“Çdo aludim për reformatim, ndërkohë që ka një ligj konsensual, që nuk mund të ndryshohet vetëm sepse ka një shumicë votash, do të ishte kthim në vitet 2000-2001 dhe si i tillë i papranueshëm”, replikoi deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.

Prej më shumë se 10 vjetësh çdo ndryshim në Kodin Elektoral dhe që prek Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve është bërë me konsnesusin e dy partive të mëdha në vend. Por që kjo të faktohet sërish do të duhet edhe pak kohë, ose të paktën do të duhet një qëndrim zyrtar nga Partia Socialiste.

Top Channel