INSTAT: Shqipëria e pabarabartë

21/05/2014 00:00

Të dhënat e detajuara nga censusi i vitit 2011 nxjerrin në pah se lëvizjet demografike në dhjetë vitet e fundit kanë krijuar një realitet të polarizuar ekonomik duke lënë zona të tëra territoriale të pazhvilluara.

Kryeministri Edi Rama tha se ky fenomen çon në tensione sociale dhe pabarazi mundësish ndaj kërkon ndërhyrje urgjente.

“Kryefjala e kësaj përgjigjeje është reforma territoriale-administrative me një reduktim dramatik të numrit të njësive vendore që disponojnë kompetenca të plota dhe me rritje dramatike të të ardhurave për njësitë që do të dalin nga ky reduktim për të drejtuar tërësisht ndryshe qoftë zhvillimin njerëzor, qoftë zhvillimin natyror dhe ekonomik”, deklaroi Rama.

Por përveç rritjes së pabarazisë, në konferencën e INSTAT, kreu i këtij institucioni publikoi dhe një tjetër të dhënë shqetësuese, që shtron nevojë për një tjetër reformë delikate.

“Bazuar në projeksionet e reja të popullsisë, në vitin 2027, pra vetëm 13 vjet nga tani, rritja natyrore mund të bëhet negative, pra numri i vdekjeve do të tejkalojë numrin e lindjeve”, deklaroi  kreu i INSTAT, Gjergji Filipi.

“Kjo është një arsye më shumë që reforma e pensioneve që ne tanimë e kemi të formësuar të kryhet një orë e më parë, kaq shumë të shtyer vit pas viti për arsye politikës së ditës dhe për arsye të dritëshkurtësisë së qeverisjes deri më sot”, shtoi Kryeministri Rama.

Vitin e kaluar sistemi i pensioneve mori rreth 500 milione dollarë nga paratë e taksapaguesve, ndërkohë që sipas INSTAT papunësia te të rinjtë u rrit nga 35 për qind në 2001 në 52 për qind në 2011. Paralelisht përgjatë kësaj dekade Shqipëria është përballur me një valë të dytë emigrimi, ku sipas INSTAT mbi 480 mijë vetë janë larguar në emigrim.

Top Channel