
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë të ditur pas një takimi me partitë e tjera opozitare, se janë unifikuar përsa i përket qëndrimit kundër trafikut të drogës dhe përfshirjes së supozuar të qeverisë në të.
“Në mbledhjen me aleatët kemi rënë dakord për ngritjen e një aleance kombëtare kundër drogës, që do të jetë në ball të protestës popullore të aksionit opozitar e qytetar kundër drogës e që do intensifikohet të premten para selisë së njeriut që është përgjegjësi numër 1 për trafikun e drogës”, ka thënë Basha, duke iu referuar kryeministrit Rama.
Sipas liderit të opozitës, situata sa vjen e rëndohet, me sasitë e drogës që kapen nga policitë e vendeve fqinje, ndërkohë që nga qeveria shqiptare nuk ka asnjë reflektim.
“Para pak minutash u kap një sasi e madhe në Itali. Kjo situatë kërkon një reflektim. Por kryeministri dhe kupola e tij vazhdojnë të shërbejnë si mburojë e krimit, përmes pohimit, fshehjes, mbështetjes dhe mashtrimit që kanë demonstruar që nga dita e parë kur opozita denoncoi trafikun e drogës”, ka theksuar Basha.
Ai është shprehur se, kryeministri Rama e shfrytëzon kohën dhe energjinë “duke vjellë vrer e mllef kundër opozitës”, ndaj aksioni i saj do t’i kalojë kufijtë e axhendës politike.
“Aksioni ynë do vazhdojë fuqishëm dhe unë gjej rastin të ftoj të gjitha partitë e opozitës dhe qytetarët që të bashkohen me ne të premten në orën 11”, ka shtuar Basha.
PS: Opozita i trembet luftës ndaj drogës
“Protesta e së premtes një farsë, qytetarët ta bojkotojnë”
Partia Socialiste ka reaguar pas njoftimit të PD për protestën e së premtes, duke e cilësuar atë si një farsë, pasi opozita sipas saj është e prirur të protestojë ndaj çdo arritjeje të qeverisë.
“Ju protestoni kundër marrëveshjes me FMN, protestoni kundër bizneseve të vogla, kundër luftës ndaj monopoleve, që prek pushtetarët e djeshëm, protestoni kundër arritjeve në dogana e tatime”, ka denoncuar deputeti Besnik Bare.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që, të mos protestojnë në krahët e “atyre që morën jetën e 26 shqiptarëve në Gërdec dhe atyre që pushkatuan më 21 janar katër persona në mes të bulevardit”.
“Ata protestojnë kundër drogës, asaj droge të cilës qeveria i ka shpallur luftë duke alarmuar ish-drejtuesit e pushtetit”, ka thënë Bare, i cili ka ftuar qytetarët që ta bojkotojnë protestën.
“Të dashur shqiptarë, ju e keni kuptuar se shpifja dhe balta mbetet motoja e opozitës, ndërsa lufta ndaj krimit dhe korrupsionit është motoja jonë”, ka shtuar Bare.
Top Channel