Ambasadori amerikan Alexander Arvizu ka bërë një apel për unitet në adresë të klasës politike shqiptare, duke e cilësuar atë si jetik për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.

Në një konferencë të organizuar me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit në NATO, zoti Arvizu ka vlerësuar angazhimin e Shqipërisë në radhët e Aleancës, me pjesëmarrjen në misionet ndërkombëtare.

“Palët duhet të punojnë së bashku për të sjellë një stabilitet politik afatgjatë dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Shqipëria ka dëshmuar vlera dhe aftësitë e saj si aleate e NATO-s, me misionet në Irak e Afganistan. Tani të punohet për të luftuar krimin dhe korrupsionin, si dhe për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Arvizu.

Më tej ambasadori amerikan ka folur për situatën në Ukrainë, veprimet e “paligjshme” të Rusisë dhe ka paralajmëruar se për Evropën ka ende rreziqe.

“Për Evropën ka ende rreziqe, por territori i NATO-s është i pashkelshëm dhe Aleanca duhet të bëjë gjithçka për të ruajtur këtë territor”, ka thënë Arvizu.

Përfaqësuesi i Uashingtonit zyrtar në Tiranë e ka mbyllur fjalimin duke thënë se, “Shqipëria dhe Kroacia dëshmuan se po luajnë një rol të rëndësishëm në radhët e Aleancës”.

Top Channel