Udhëheqësit e komunave serbe të veriut janë pajtuar më në fund, që të harmonizojnë statutet e tyre me ligjet e Republikës së Kosovës. Komuna e fundit, që nuk kishte statut në përputhje me ligjet e Kosovës, ishte Mitrovica e Veriut, e cila në ditën e fundit të afatit ligjor ka pranuar besnikerinë ndaj Prishtinës zyrtare.

“Katër komunat e veriut janë konstituuar sipas ligjeve dhe kjo tregon që bashkëpunimi është në rrugën e duhur. Zbatimi i marrëveshjes së Brukselit po shkon drejt finalizimit dhe tani na mbetet, që të punojmë më shumë në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve atje”, tha Slobodan Petroviç, ministër i MAPL.

Por, komunat e veriut kanë nisur menjëherë të kërkojnë buxhet nga Qeveria e Kosovës, për të realizuar projekte kapitale.

“Si ministër i pushtetit lokal, në emër të përfaqësuesve të veriut kërkojmë që këto komuna të ndihmohen kryesisht në projekte kapitale. Buxheti, që është caktuar aktualisht për katër komunat, është i pamjaftueshëm dhe për këtë arsye duhet t’i mbështesim. Në Mitrovicë ka nevojë për infrastrukturë dhe duhet të ndërhyhet nga Qeveria për rregullimin e rrugëve. Për financimin e këtyre projekteve duhen 700 mijë euro”, tha më tej Slobodan Petroviç.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Financave, pasi kreu i saj konsideron se gjithë ai buxhet nuk mund të ndahet pa një parashikim paraprak.

“Mendoj se duhet të ulemi bashkë me ministrin dhe t’i diskutojmë këto projekte, sepse projekte me këtë implikim buxhetor nuk mund të miratohen pa një analizë paraprake financiare”, tha Besim Beqaj, ministër i Financave.

Pas këtij debati, kryeministri Hashim Thaçi vendosi që çështja e financimit të projekteve në veri, të shtyhet për një mbledhje tjetër. Kabineti qeveritar ka miratuar të premten shpronësimet për interes publik të pronave, që preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Shkup.

Po ashtu, Qeveria i ka dhënë mbështetje financiare edhe organizimit të ndeshjeve miqësore të Kombëtares së futbollit të Kosovës, ato me Turqinë dhe Senegalin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA