Mandati i tretë i kryeministrit aktual Hashim Thaçi do të ishte fatal për Kosovën, thotë lideri i VV, Albin Kurti.

Sipas tij, premtimet për miliona euro investime në bujqësi e sektorë të tjerë dhe krijimin e mijëra vendeve të punës, lideri i VV-së i quan vetëm premtime paraelektorale, të cilat kanë afat qendrueshmërie deri në ditën e zgjedhjeve.

Ndërsa fondin e punësimit, pa një zhvillim ekonomik, e quan fond të “hajnisë”.

“Nuk mund të kesh fond punësimi pa shtet zhvillimor. Fondi i punësimit pa shtet zhvillimor është fond i hajnisë. Këta dëshirojnë të vjedhin dhe këtë po e thonë hapur. Unë e di, që në Kosovë është problem transparenca. Por, të këqijat më të mëdha po bëhen në mënyrë transparente. Kosova, para së gjithash, ka nevojë për shtet zhvillimor dhe vetëm më pas vjen fondi i punësimit. Ti duhet ta zhvillosh ekonominë, që të hapësh vende të reja pune. Me vizionin Bansko, ku shoqërohet fondi i punësimit, është fond i hajnisë”, tha Albin Kurti, VV.

Kurti, duke folur për alternativën e qeverisjes së VV-së, tha se mirëqenia në shoqëri duhet të bëhet përmes politikave sociale, që zbusin pabarazinë e varfërinë dhe forcojnë shoqërinë e Republikën. Qeverisja VV-së, sipas Kurtit, do ta shtrojë rrugën e realizimit të shtetit social.

Ndërkohë, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka deklaruar se Isa Mustafa, struktura dhe mentaliteti i LDK-së janë qeveri dhe qeverisje e plakur; kurse Hashim Thaçi dhe taborri i tij janë të korruptuar dhe pa vizion për udhëheqjen e vendit.

“Thaçi e Mustafa janë liderë të perënduar. Ata nuk kanë më koncepte e as vizion për ta udhëhequr vendin. Platforma ‘Drejtim i Ri, njerëzit e Aleancës’ dhe plani ynë implementues i kësaj platforme, janë garanci për vendin, për të rinjtë, për studentët dhe për të gjitha kategoritë e shoqërisë”, tha Ramush Haradniaj, kryetar i AAK-së.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë në një debat me studentë, ku ka shpalosur platformën e tij qeverisëse.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA