Subjektet politike në Kosovë kanë vazhduar të prezantojnë aderime të figurave të reja si dhe të shpalosin programet partiake.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka bërë publik transferimin e Muharrem Shabanit, i cili më 2 korrik 1990 kishte shpallur Kushtetutën e Kosovës në Kaçanik.

Në një konferencë shtypi, Thaçi ka konfirmuar se partisë së tij i është bashkuar edhe një bashkëpunëtor i deritashëm i Albin Kurtit të Vetëvendosjes.

“Sot gjithashtu, në Prizren misionit të ri i të PDK-së, misionit të ri fitues të zgjedhjeve të 8 qershorit i është bashkangjitur edhe deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Afrim Kasolli. Kështu që, misioni ynë i ri, subjekti ynë, po rritet, po forcohet, po del përtej kornizës partiake. Është thjesht një lëvizje politike e fuqishme, një koalicion i fuqishëm i këtij misioni të ri me qytetarët e Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës konferencen ia dedikoi prezantimit të programit të LDK-së për arsimin. “Plani qeverisës i LDK-së për arsimin parasheh që të gjitha kolegjet jopublike të avancohen në universitete. LDK do ta rrisë buxhetin për arsimin”, premtoi kryetari Isa Mustafa.

Edhe subjektet e tjera politike kanë prezantuar të enjten aderime të reja dhe pjesë të programit të tyre politik. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm se lista e kandidatëve për deputetë nga VV do të përbëhet nga njerëz të profesioneve të ndryshme, të dy gjinive dhe njerëz të ndershëm.

Ndërsa kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka zgjedhur një takim me të rinjtë e partisë së tij për të prezantuar para tyre programin qeverisës që e quan “Drejtimi i Ri”.

Ndërsa partisë së Behgjet Pacollit të enjten i janë bashkuar disa ekspertë nga fusha e ekonomisë. Subjektet politike kanë kohë vetëm deri të premten në mbrëmje për t’i finalizuar listat e tyre të kandidatëve për t’i dorëzuar për çertifikim në KQZ.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA