Kërkimi i Drejtësisë Ndërkombëtare për gratë e dhunuara gjatë luftës së Kosovës do të nisë me 16 qershor një aktivitet, fillimisht me anë të një peticioni.

Mospërfshirja e Kosovës në raportin e Kombeve të Bashkuara për vendet ku është ushtruar dhuna seksuale gjatë luftrave ka nxitur regimin e grave dhe përfaqësuese kosovare, të cilat tashmë kanë formuar bordin drejtues për organizimin e peticionit dhe hapave të cilët do të ndërmerrën për të paditur Serbinë për krim kundër njerëzimit.

“Kërkesat tona do të jenë që OKB të bëjë një raport ndërkombëtar për këtë dukuri, për këtë pasojë të luftës gjenocidale në Kosovë. Ky raport, që është hartuar nga sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon për shumë shtete, as Kosovën e as Kroacinë nuk e ka përfshirë. Me këtë peticion ne kërkojmë që OKB të bëjë një tjetër raport për këtë çështje”, ka thënë zv.kryeministrja Edita Tahiri, njëkohësisht anëtare e bordit.

“Mendoj që krimi i dhunimit të grave në Kosovë gjatë luftës ka qenë një prej krimeve që ka tentuar të dëmtojë në një plan afatgjatë dinjitetin njerëzor dhe familjen, prandaj jemi mbledhur këtu që të kërkojmë drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara”, ka thënë anëtarja tjetër Teuta Sahatçiu, njëkohësisht ish-deputete.

“Lufta në Kosovë për shumicën prej nesh ka përfunduar para 15 vitesh, por për 20 mijë gra, për 20 mijë familje nuk ka paqe dhe nuk ka drejtësi. Është detyra jonë që të bëhemi zëri i atyre që nuk kanë zë. Dhe është detyra jonë që këtyre grave që janë nënat tona, motrat tona, vajzat tona t’u vijmë në ndihmë që ta kthejnë dinjitetin në shoqëri”, është shprehur më tej ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku.

Dokumentari i Top Channel “Krimi i Padënuar që Flet“, i cili mes të tjerash ka zbardhur fakte mbi asgjesimin e dëshmive të grave të dhunuara nga ana e UNMIK-ut, si insitucion faktmbledhës. Ky shihet dhe si një nga shkaqet e mosfutjes së viktimave kosovare në raportin e OKB-së, të sekretarit Ban Ki Moon.

Pas mbledhjes së firmave të qytetarëve lidhur më këtë çështje, bordi do të angzhojë ekipin ligjor i cili do të merret me faktet dhe me mbledhjen e dëshmive të cilat do t’i dërgohen zyrtarëve të OKB-së.

Pas futjes në raportet e OKB-së, Kosova pritet të kërkojë edhe një gjykate speciale për Serbinë, e cila do të trajtonte pikërisht viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit ndaj 20 mijë grave kosovare që pretendohet se janë dhunuar nga ushtria dhe policia serbe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA