Dy partitë më të mëdha kosovare, PDK dhe LDK, vazhdojnë të prezantojnë anëtarë të rinj që do synojnë vendet e deputetëve në zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit.

Aderimet e figurave të ndryshme nga fusha e medias, shoqëria civile dhe bizneset po shihen edhe si garë e dy kandidatëve që synojnë postin e kryeministrit të Kosovës.

Lideri i PDK-së Hashim Thaçi ka prezantuar kryeredaktoren e sapolarguar nga gazeta “Kosova Sot”, Margarita Kadriu, si anëtaren më të re të ekipit të tij, duke i besuar asaj edhe postin e nënkryetares së partisë.

“Ardhjet dhe prurjet në PDK nga shoqëria civile, nga komuniteti i biznesit, i medias dhe i partive të tjera politike janë realisht prurje të pastra të forcimit të PDK-së dhe nuk janë riciklime sikurse po ndodhin në subjekte të tjera që edhe kanë librezën dhe sërish dalin në konferenca për shtyp”, ka deklaruar Thaçi.

Nga ana tjetër, edhe kreu i LDK-së ka prezantuar tri aderime, atë të Bajram Gecajt, këshilltar i deritashëm në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Valon Maloku, drejtori i një televizioni kabllor, si dhe Drita Konxheli, profesoreshë në Fakultetin Ekonomik.

Ardhjet e reja në LDK e shtynë kreun e saj Isa Mustafa që të besojë në fitore, ndërsa ka thënë se në qeverinë e ardhshme mund të bëjë koalicion edhe me Listën Serbe.

“Ne do t’u ofrojmë mundësinë të gjitha partive që përfaqësojnë popullatën jo shumicë të bashkëpunojnë me ne dhe që të jenë me ne”, ka thënë Mustafa.

Edhe partia e Mustafës, por edhe ajo e Hashim Thaçi kanë paralajmëruar se edhe në ditët në vijim do të kenë prurje të reja. Subjektet politike kanë kohë deri më 16 maj në mbrëmje që t’i dorëzojnë emrat e kandidatëve për deputetë, ndërsa deri tani asnjë nga subjektet e mëdha nuk e ka përmbyllur listën e kandidatëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA