Ende pa nisur mirë fushata zgjedhore në Kosovë, dy partitë më të mëdha, PDK dhe LDK kanë nisur të joshin subjektet e vogla për t’i pasur në koalicion qeverisës. 

Partneri aktual i PDK-së, Behgjet Pacolli është vizituar në shtëpinë e tij private nga lideri i LDK-së Isa Mustafa i cili i ka thënë se mund të bashkëqeverisin pas zgjedhjeve të qershorit.

“Kemi biseduar edhe lidhur me mundësitë e bashkëpunimit tonë pas zgjedhjeve. Dhe unë nuk them se ne do të bashkëpunojmë vetëm me AKR-në pas zgjedhjeve, por ajo që LDK është e orientuar të bëjë, është që ne të sigurojmë një shumicë të qendrueshme shqiptare në rend të parë, në qeverisjen e ardhshme. Është vendosur që edhe në të ardhmen të takohemi dhe të shikojmë mundësitë e bashkëpunimit”, deklaroi kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Nga ana e tij kreu i AKR-së Behgjet Pacolli ka vlerësuar se për rezultatet e takimin me Mustafën shumë shpejt do të flasin publikisht.

“Unë do të thoja se ne do të kemi një konferencë për shtyp në të ardhmen e afërt dhe do të flasim për këtë. Shumë tema interesante janë diskutuar”, deklaroi Behgjet Pacolli, kryetar i AKR-së.

Megjithatë, Pacolli mohoi se po bën ndonjë skenar të fshehtë ndaj partnerit të deritashëm të koalicionit, PDK.

“Unë nuk jam njeri i skenareve. Unë jam vetëm njeri shumë praktik”, tha ai.

Ofertat për bashkëpunim që Isa Mustafa po ia bënë Behgjet Pacollit dhe subjekteve tjera, nuk po e shqetësojnë liderin e PDK-së Hashim Thaçi.

Ai është i bindur se sërish do të jetë mandatar i Qeverisë, ndërsa ka thënë se në koalicionin qeverisës do ta ketë edhe AKR-në e Behgjet Pacollit.

“PDK si parti fituese e 8 qershorit dhe si parti udhëheqëse e qendrës së djathtë, do të ketë në formacionin e vet qeverisës një nga partitë e qendrës së djathtë ku përfshihet edhe natyrisht partneri aktual”, deklaroi Thaçi.

Derisa kanë mbetur edhe tri ditë në dispozicion që subjektet të aplikojnë për certifikim në KQZ, PDK dhe LDK kanë vendosur që mos të bëjnë kurrfarë koalicionesh parazgjedhore me partitë e tjera më të vogla.

Top Channel