
Nga 228 që ishte në 2012-n, numri i ushtarëve britanikë të kthyer nga Afganistani me nevojën e trajtimit për shëndetin mendor, viti pasardhës shënoi një rritje të rasteve me 57%.
“Combat Stress”, organizata që evidenton këtë situatë bazuar në kërkesat e ish-ushtarëve për mjekim, flet për 5,400 raste të regjistruara në mbarë vendin, niveli më i lartë ky me të cilin është hasur përgjatë historisë së vet 95-vjeçare.
Drejtuesit e saj sqarojnë për BBC-në se, përgjithësisht, ata që kanë shërbyer jashtë kufijve kanë pritur mesatarisht 13 vjet përpara se të kërkonin ndihmë, ndërsa për të kthyerit nga Afganistani kjo distancë kohore llogaritet diku te 18 muaj.
Stephen Coyle është një prej këtyre ushtarëve. Pas tri shërbimesh në Afganistan, 28-vjeçari u diagnostikua me çrregullime post-traumatike, pasojë e të qenit në stres të vazhdueshëm.
Siç shpjegon edhe vet, ai mbërriti në një gjendje ngurtësimi të plotë emocional. “Nuk kisha më asnjë lloj ndjesie, – tregon Coyle. – Nuk flija dot gjumë, nuk gjeja më kënaqësi në jetë, as duke parë djalin tim të vogël, të cilin e adhuroj”.
Sipas korrespondentes së BBC-së, Caroline Wyatt, tani ekziston një ndërgjegjësim shumë më i madh se në të kaluarën për traumën psikologjike, e ndoshta kjo shpjegon dhe shtimin e ndjeshëm të rasteve të referuara tek autoritetet.
Sindroma e stresit post-traumatik mund të prekë çdo person, që ka përjetuar ngjarje tronditëse siç është konflikti ushtarak, fatkeqësitë natyrore, apo aksidentet e rënda në rrugë.
Top Channel