
Të dielën, Irani zbuloi atë që ata e konsiderojnë si një kopje të dronit (avionit të telekomanduar) të vjedhur të SHBA-ve, që u “sekuestrua” në vitin 2011.
“Droni u rrëzua në tokë nga njësia luftarake elektronike e Forcave të Armatosura iraniane, që sekuestruan avionin dhe e uli në mënyrë të sigurt”, raportoi agjencia iraniane e lajmeve Tasnim (ITNA).
Vitin e kaluar, Irani njoftoi se kishte “mundur të prodhonte pjesët kryesore” të dronit, sipas raportit të Tasnim-it. Droni amerikan është identifikuar si “RQ-170 Sentinel”, i prodhuar nga Lockheed Martin.
Pamjet e avionit të marra gjatë ceremonisë së prezantimit, ku mori pjesë edhe lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u postuan në faqen zyrtare të tij.
Zyrtarë amerikan kishin deklaruar për CNN gjatë Dhjetorit 2011 se droni ishte pjesë e misionit të zbulimit të CIA-s, që përfshinte komunitetin e inteligjencës dhe personelin ushtarak të stacionuar në Afganistan.
Më vonë, gjatë atij muaji, presidenti Barack Obama i kërkoi Iranit t’u rikthente amerikanëve dronin. “I kemi kërkuar iranianëve të na e kthejnë, të shohim se si do të përgjigjen ata”, tha Obama atëherë.
“Asnjë komb nuk i mirëpret dronet e spiunazhit të vendeve të tjera në territorin e tij, madje askush nuk i kthen mbrapsht pajisjet e përgjimit dhe informacionet e tyre mbrapsht ndaj vendit të origjinës”, iu përgjigj në atë kohë Gjeneral Hossein Salami, zv/komandant i ushtrisë së Iranit, sipas agjencisë gjysmë-zyrtare të lajmeve Fars (FNA).
Në fotot e ceremonisë së të dielës, droni amerikan u shfaq përkrah kopjes iraniane të tij. Në Shkurt 2013, Irani tha se kishte mundur të dëshifronte pamjet e survejimit të siguruara nga droni i sekuestruar dhe i shfaqi ato në Youtube.
Top Channel