Boko Haram vendos kushte për lirimin e vajzave

12/05/2014 00:00

Një video e re e organizatës terroriste islamike Boko Haram tregon 200 vajzat e rrëmbyera që prej një muaji, duke siguruar se vajzat janë konvertuar tashmë në myslimane. Në video deklarohet se vajzat do të lirohen në momentin kur do të lihen të lirë të burgosurit e organizatës Boko Haram.

Në video edhe njëherë është protagonist lideri i grupit terrorist islamik, Abubakar Shekau, që flet për 17 minuta duke treguar vajzat e mbuluara në një vend që është e pamundur të identifikohet vendndodhjen e tyre.

Duke patur parasysh këtë video, forcat policore nigeriane dhe ato të huaja kanë nisur të kërkojnë së bashku me  ekipet e ardhura në ndihmë nga SHBA-ja vajzat e rrëmbyera në shtetin e  Bornos, në veri të Nigerisë. 

Këtë mëngjes guvernatori i Bornos ka siguruar autoritetet që ka pista për vendndodhjen e vajzave. Në 14 prill u rrëmbyen rreth 276 vajza nga Chibok në veri të Nigerisë, ku ndodhet një komunitet i madh të krishterësh.

Guvernatori i shtetit të Bornos: Vajzat nuk kanë dalë nga kufiri

Guvernatori i shtetit të Bornos, skena e rrëmbimit të dhjetra vajzave të reja nga shkolla e mesme ku mësonin, pretendon se ka informacione mbi adoleshentet e përfunduara në duart e grupit militan Boko Haram.

Kashim Shettima sqaroi se të dhënat, e përftuara nga dëshmitarë që kanë parë vajzat, ia ka përcjellë ushtrisë dhe shprehet i bindur se minorenet nuk janë dërguar përtej kufirit, në Çad apo Kamerun.

Më herët, presidenti i Francës u ofrua të mikpresë një samit, ku të diskutohet mbi Boko Haram-in.

“I sugjerova presidentit nigerian, Goodluck Jonathan, një takim të vendeve fqinje me Nigerinë. Nëse ato do të bien dakord, samiti mund të zhvillohet të shtunën e ardhshme”, tha Francois Hollande, president i Francës.

Në takim, përpos shteteve si Kameruni, Nigeri dhe Çadi, me shumë gjasa do të marrin pjesë edhe Shtetet e Bashkuara, Britania e përfaqësues të bllokut europian.

Uashingtoni dhe Londra janë zotuar që tani t’i ofrojnë qeverisë nigeriane asistencë teknike. Në Nigeri pritet të mbërrijë edhe një ekip izraelit i anti-terrorit, i cili do të ndihmojë në kërkimin e vajzave.

Më shumë se 200 nxënëse janë në duart e rrëmbyesve, prej një muaji tashmë, dhe prindërit e traumatizuar pretendojnë nga autoritetet ndërhyrje sa më të shpejtë.

Militantët e Boko Haram-it, që në gjuhën vendase do të thotë “edukimi perëndimor është i ndaluar”, deklaruan përpara një jave se do t’i shesin vajzat si skllave, kërcënim ky i perceptuar si shenjë e faktit, që duan t’i martojnë minorenet kundër dëshirës së tyre.

Top Channel