Kryetari i deritanishëm i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, është rizgjedhur për të tretën herë në këtë post, në seancën konstituive, ku u bë edhe verifikimi i mandateve të 123 deputetëve, që fituan në zgjedhjet e 27 Prillit.

Në këtë seancë nuk ishin prezent 34 deputetët e opozitës maqedonase dhe deputeti i RDK-së, të cilët kanë vendosur t’i refuzojnë mandatet për shkak se nuk i njohin zgjedhjet.

“Shpreh kënaqësinë time, që në këtë seancë konstituive më shumë se 2/3-at e deputetëve manifestuan respektin e tyre ndaj qytetarëve që i votuan, dhe ndodhen sot në vendet e tyre të punës. Megjithatë, dua të shpreh edhe zhgënjimin tim të thellë, që deputetët e një koalicioni të pakënaqur nga mbështetja e popullit, vendosën të mos respektojnë besimin e marrë në zgjedhje. Me këtë rast, nga ky vend, bëj thirrje për unitet shtetëror”, është shprehur Trajko Veljanovski, kryetar i Parlamentit të Maqedonisë.

Për rizgjedhjen e Trajko Veljanovskit kanë votuar edhe deputetët e partisë shqiptare BDI, e cila gjatë fushatës elektorale vazhdimisht ka përsëritur se do të angazhohet, që kryetari i Kuvendit në përbërjen e re t’i takojë kësaj partie.

Edhe pse ishte paralajmëruar se BDI mund të braktisë negociatat me VMRO-DPMNE-në, nëse nuk e merrte këtë post, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Madje, të shtunën, këto dy parti, përmes një komunikate të përbashkët me shkrim, njoftuan se kanë rënë dakord për të formuar qeverinë e re konform përcaktimeve programore dhe premtimeve elektorale.

Për VMRO-në dhe BDI, thuhet në komunikatë, përparësi kryesore – edhe në qeverinë e re – do të kenë integrimet euroatlantike, si dhe zhvillimi ekonomik. Ndërkohë, negociatorët e dy partive do të vazhdojnë të punojnë për harmonizimin e parimeve, mbi të cilat do të funksionojnë partnerët në qeveri, si dhe për ndarjen e pushtetit.

Sipas disa analistëve shqiptarë në Shkup, marrëveshja për koalicionin e ri qeveritar është në kundërshtim me premtimet kryesore parazgjedhore të partisë së Ali Ahmetit, BDI.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA