Kosova do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 8 Qershor. Vendimi për të shpërndarë Parlamentin erdhi në pak orë, pas bisedimeve dhe negociatave me faktorin ndërkombëtarë atje.
Partitë politike janë duke prezantuar platformat tyre dhe alternativat qeverisëse përball qytetarëve, ndërsa fushata, për herë të parë, do të zhvillohet vetëm në një javë.
Analisti Driton Selmanaj foli në ‘Revistën Televizive të Mbrëmjes” lidhur me këto zhvillime të fundit në Kosovë.
Pandi Gjata: Shpërndarja e Parlamentit erdhi për shkak se nuk u arrit të votohej krijimi i FAK apo është e vërtetë ajo që është folur gjatë këtyre ditëve për një marrëveshje të Kryeministrit Thaçi dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafa?
Driton Selmanaj: Mos votimi i Forcave të Armatosura erdhi pasi koalicioni qeverisës nuk i ka pasur numrat e domosdoshëm për të qeverisur vendin. Largimi i zotit Krasniqi, më pas edhe i zotit Limaj treguan që koalicioni nuk i ka numrat. Kishim edhe situata paradoksale, ku shumica parlamentare detyrohej të ikte nga seanca nga frika se mos kishte ndonjë iniciativë të partive opozitare. U përgatit opinioni se zgjidhja e vetme është të shkonim në zgjedhje të parakohshme, por më pas dolën edhe kërkesat e ndërkombëtarëve, siç ishte nevoja e themelimit të një Gjykate Speciale në Kosovë dhe vazhdimi i mandatit të EULEX, këto lëvizje e shtynë deri në muajin Qershor mbajtjen e zgjedhjeve. Realisht qeveria e ka humbur prej 5-6 muajsh shumicën parlamentare.
Pandi Gjata: Sa do të ndikojë krijimi i Gjykatës Speciale dhe zgjatja e mandatit të EULEX-it në këto zgjedhje?
Driton Selmanaj: Kompetencat e kësaj gjykate do të kuptohen më vonë, në legjislaturën tjetër. Nëse prokurori që është marrë me hetimin e pretendimeve të Dick Marty-t, mund të ofrojë ndonjë listë të të akuzuarve të cilët janë pjesë e atyre hetimeve, ndoshta kjo edhe mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve. Por në anën tjetër nuk besoj që do të ndikojë ky proces në zgjedhje, pasi ne në Kosovë jemi mësuar me faktorin ndërkombëtar.
Pandi Gjata: A ka sondazhe të cilat tregojnë se si do të jenë partitë politike para se të mbahen zgjedhjet?
Driton Selmanaj: PDK-ja ka humbur 2 eksponentët kryesorë Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, të dy kanë qenë një potencial i madh edhe në mbledhjen e votave. Edhe pas asaj që ndodhi në zgjedhjet lokale, mendoj që PDK-ja mund të humbë shumë vota. Pritet një rritje edhe e VV, ndërsa partia e Haradinajt nuk më duket se do të ketë një trend të befasishëm, partia e Pacollit mendoj se do të ketë problem të kalojë pragun elektoral.
Pandi Gjata: Duke iu referuar kësaj panorame, por edhe ligjit elektoral në Kosovë për pragun e nevojshëm, duket se do të kemi sërish kolacion qeverisës, a kanë filluar hamendësimet?
Driton Selmanaj: Sistemi kushtetues që ne kemi ndërtuar e bënë të pamundur që një subjekt e vetëm politik të marrë shumicën, sepse duhen mbi 58% të votave dhe kjo është e pamundur. Ende është e qartë se si do të mund të krijohen koalicionet. E kemi provuar që mund të kemi koalicione nga më të ndryshmit, madje edhe mes 2 partive me rivalitet ndërmjet njëra tjetrës. Lëvizja VV sikur i ka refuzuar të gjitha iniciativat nga faktori ndërkombëtar edhe tani ata e thonë se do të futen të vetëm në garë.
Pandi Gjata: Fushata do të jetë shumë e shkurtër. Pse ky detaj i ri?
Driton Selmanaj: Në fakt është 10 ditë. Me ligjin zgjedhor, në zgjedhjet e rregullta parlamentare fushata është 30 ditë. Ne kemi pasur edhe një përvojë të ngjashme. Në vitin 2010 kemi shkuar në zgjedhje të parakohshme dhe fushata ka qenë 10 ditore. Ligji i zgjedhjeve që nuk arriti të kalojë, në një farë forme ka pësuar disa ndryshime dhe të gjitha subjektet politike në Kosovë me përjashtim të VV kanë rënë dakord që edhe në zgjedhjet e rregullta të mos kemi asnjë herë fushat më tepër se 15 ditë, kjo ndoshta edhe për shkak të shpenzimeve të mëdha.
Top Channel