
Deputeti i deritashëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe afaristi i
njohur kosovar Ramiz Kelmendi i është bashkuar Partisë Demokratike të
Kosovës.
Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, ka thënë gjatë prezantimit të Kelmendit se lista e partisë së tij është forcuar me një afarist të dëshmuar në vend dhe rajon.
“Jemi të vendosur që bashkërisht t’i vazhdojmë përkushtimet tona institucionale. Zotëri Kelmendi do të jetë pjesë e listës fituese të PDK-së, të 8 qershorit, dhe do të jetë pjesë e rëndësishme e përgjegjësive ekzekutive në qeverisjen e ardhshme”, u shpreh Thaçi.
Nga ana e tij, Kelmendi i cili para pak javësh ka prezantuar si zyrtar i AAK-së një plan ambicioz të punësimit, ka thënë se ai është pronë e tij intelektuale dhe do ta realizojë në qeverisjen e PDK-së.
“Të gjithë intelektualitetin tim, përvojën time, dijeninë time do e vejë në dispozicion në realizimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, punësimit sa më shumë dhe besoj që po qe se arrij t’i inkorporojë idetë e mija në politikat zhvillimore të PDK-së, nuk do të jetë asnjë qytetarë i Kosovës i papunësuar”, u shpreh Kelmendi.
Pas prezantimit të Ramiz Kelmendit, kreu i PDK-së Hashim Thaçi ka paralajmëruar edhe aderime të reja në ditët në vijim.
Top Channel