Zgjidhja e ngërçit politik brenda 24 orëve dhe shpërndarja e Parlamentit të mërkurën nuk i ka befasuar analistët dhe figurat e shoqërisë civile në Kosovë.

Situatën kur subjektet shqiptare dhe serbe insistonin fuqishëm, njëra për krijimin e ushtrisë e tjetra për vazhdimin e vendeve të rezervuara, dhe në fund zmbrapsjen e tyre, kryeredaktori i gazetës “Blic”, Astrit Gashi e vlerëson si artificiale, me qëllim përfitimin politik, më së shumti për kryeministrin Thaçi.

“Ngërçi u krijua artificialisht, për të bërë diçka dhe për të pasur një rrjedhje të Kuvendit. Kjo ka nisur me kthimin e FSK-së në ushtri, edhe kjo për nevoja publiciteti dhe rezultati dihej që do të ishte kjo që ka ndodhur”, deklaron Gashi.

Ndërsa drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, organizatë që monitoron punën e Kuvendit, Ismet Kryeziu vlerëson se subjektet politike janë vonuar në dhënien fund të kësaj legjislature. Kjo, pasi sipas tij ka kohë që Parlamenti nuk e ka kryer funksionin e vet.

“Ky Kuvend duhej shpërndarë më herët pasi shpesh herë pozita ka dështuar të ketë votën për çështje madhore. Kemi pasur raste kur opozita ka braktisur seancën për interesa klanore. Kjo shpërndarje duhet të ishte bërë shumë më herët”, shprehet Kryeziu.

Tani, në kohë zgjedhjesh, një çështje tjetër që ngrihet është se, a do të mund të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike? Shoqëria civile vlerëson se kjo varet nga subjektet politike dhe ndikimi në strukturat e partisë për të mos i manipuluar votat e qytetarëve.

I domosdoshëm konsiderohet presioni i faktorit ndërkombëtar në mënyrë që të paktën, siç thuhet, Kosova të mbajë standardin e zgjedhjeve të fundit lokale.

Top Channel