
Policia tajlandeze ka përdorur pompa uji dhe gaz lotësjellës ndaj protestuesve në Bangkok, në manifestimet e mbajtura dy ditë pas rënies nga pushteti të kryeministres Yingluck Shinawatra.
Qindra protestues ishin mbledhur jashtë kompleksit qeveritar në kryeqytet, duke kërkuar largimin e tërë qeverisë dhe reformimin e sistemit politik.
Të paktën pesë persona mbetën të plagosur pasi u përpoqën të zhvendosnin një barrierë me tela me gjemba të vendosur para një institucioni.
Gazeta tajlandeze “The Nation” raportoi se protestuesit u përpoqën gjithashtu të pushtonin studiot e stacioneve televizive, për t’i detyruar që të lexonin mesazhet e tyre. Por para godinave të mediave u vendosën trupa policore anti-protestë.
Kryeministrja Yingluck Shinawatra u urdhërua të dorëhiqej nga posti më herët gjatë javës, për shkak të transferimit ilegal të shefit të sigurisë. Ndërsa një gjykatë tjetër e ka paditur atë për neglizhencë.
Protestuesit, shumica e të cilëve vijnë nga klasa e mesme dhe elita urbane, deklarojnë se qeveria e zonjës Shinawatra kontrollohet nga vëllai i saj Thaksin, edhe ky një ish-kryeministër i rrëzuar.
Ata thonë se paratë e kësaj familjeje kanë korruptuar demokracinë tajlandeze dhe për këtë arsye kërkojnë një këshill popullor për të zëvendësuar qeverinë.
Partia e ish-kryeministres, Pheu Thai, mbetet gjithësesi shumë popullore në zonat rurale. Ky subjekt do të mbajë funksionin e qeverisë në detyrë deri në zgjedhjet e ardhshme të 20 korrikut.
Pheu Thai shihej si favorite për të fituar zgjedhjet e parakohshme që do të mbaheshin në shkurt, por që u penguan nga protestuesit dhe më pas u anuluan.
Top Channel