Nigeri, ushtria injoroi paralajmërimet

09/05/2014 00:00

Ushtria nigeriane kishte pasur paralajmërime për sulmin ndaj shkollës prej nga u rrëmbyen 270 vajzat, por nuk veproi. Kështu thotë Amnesty International, e cila, duke iu referuar burimeve të besueshme, pretendon se ushtria u informua katër orë para sulmit.

Të paktën 53 vajza u arratisën pak momente pasi u morën peng, më 14 prill, duke lënë mbi 200 të tjera ende në duart e rebelëve. Autoritetet nigeriane ende nuk e kanë komentuar deklaratën e Amnesty.

Ndërkohë, grupe ekspertësh nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe kanë mbërritur në Nigeri për të ndihmuar në lokalizimin dhe shpëtimin e vajzave që mbahen peng.

Amnesty thotë se, pavarësisht paralajmërimit, nga ushtria nuk u dërgua asnjë përforcim për të mbrojtur shkollën në zonën e largët të Çibokut.

Sipas grupit për të drejtat e njeriut, një nga arsyet ishte frika e ushtrisë për t’u përballur me grupet rebele që shpesh herë janë më mirë të armatosura.

Dyshohet se vajzat po mbahen diku në zonat e gjera pyjore që shtrihen nga Çiboku në Kamerunin fqinj. Amnesty thotë se një grup i vogël agjentësh sigurie u mposht nga rebelët.

Grupi islamik Boko Haram ka marrë përsipër pengmarrjen e vajzave, duke deklaruar se ato nuk duhet të ishin në shkollë, por duhet të martohen.

Boko Haram, që në gjuhën lokale do të thotë “edukimi perëndimor është i ndaluar”, nisi rebelimin e tij në shtetin e Bornos, në vitin 2009. Të paktën 1.200 persona llogaritet të kenë vdekur nga dhuna e tij vetëm këtë vit.

Top Channel