
Ulja e normës së papunësisë, varfërisë, shërimi i plagëve në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë përbëjnë pjesë të platformës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në një tubim që më shumë kishte për qëllim prezantimin e njerëzve e rinj që po bëhen pjesë e LDK-së, kreu i kësaj partie Isa Mustafa siguroi të pranishmit se fitorja e 8 qershorit dhe ndryshimi i madh do t’i takojë LDK-së.
Ai theksoi se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë qeverisjen e keqe dhe të mbrapshtë, siç e cilëson ai udhëheqjen e kryeminstrit Thaçi.
“Më 8 qershor ne do të vëmë spiralet tona në qeverisjen e këtij vendi, që do mundësojnë që në 4 vitet e ardhshme Kosova të shërohet nga plagët e papunësisë, zhvillimit ekonomik, varfërisë dhe arsimit të degraduar, për të cilat është fajtore qeverisja e keqe e këtij vendi”, deklaroi Mustafa.
Ka qenë drejtori i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Bardhyl Meta i cili këtë të premte zyrtarizoi aderimin e tij në LDK. Ai do të jetë edhe në listën e kandidatëve për deputetë.
Në një fjalim të gjatë, Meta mes tjerash premtoi edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës 12 muaj pas marrjes së mandatit qeverisës.
Të premten LDK-ja mbjati edhe një takim të forumit të gruas, në të cilin u shpalos platforma e gruas drejt Bashkimit Evropian. Gjatë këtij forumi aderuan më shumë se 20 anëtare femra në parti.
Top Channel