“Haga e Ramush Haradinaj” është botimi i irlandezit Michael O’Reilly, avokatit mbrojtës të liderit të AAK-së, gjatë procesit gjyqësor të tij në Hagë.

Në këtë libër paraqitet historia e gjyqit, por edhe historia e krijimit të UÇK-së dhe luftës së kosovarëve për liri. Gjithashtu, libri hedh një vështrim edhe mbi historinë e trojeve shqiptare.

“Mendoj që ka ndodhur drejtësia me luftën, me lirinë e Kosovës, të cilën e kanë ndihmuar të gjithë. Me gjithë Shqipërinë dhe bashkimin e fuqive demokratike, me NATO-n i udhëhequr nga SHBA. Në përballjen me Hagën kam qenë i lënë vetëm sepse Kosovën dhe Shqipërinë i zuri përditshmëria, i zunë hallet e jetës. Ka pasur nga ata që kanë thënë se, ai është burrë i zoti, mund ta bëjë luftën i vetëm. Por jo krejt vetëm”, u shpreh Haradinaj.

Ndërsa autori i librit shpjegoi arsyet pse e shkroi atë. “Mbi të gjitha ishte një histori shumë e rëndësishme, që duhej treguar. Së dyti, ishte një çështje drejtësie. Ishte bërë një padrejtësi e madhe ndaj një njeriu në veçanti, por shumë më shumë ndaj një vendi. Kjo duhet treguar dhe unë jam përpjekur ta bëj këtë.

E treta, sepse politika është shumë e rëndësishme. Kam punuar me liderë politikë në shumë vende, përfshirë dhe timin. Kam parë në vendin tim sesa përpjekje bëhen për të krijuar një shtet që ka qenë i kolonizuar dhe subjekt i sundimit nga një fqinj i madh për shumë vite. Prandaj ne irlandezët i kuptojmë kosovarët shumë mirë.

E kam parë personalisht forcën dhe dinjitetin e njerëzve të Kosovës. Kur shkrova librin, përpos gjyqit, nuk harrova kurrë se ka një trishtim njerëzor shumë të madh. Prandaj ia dedikova librin memories së Shkëlzen, Luan dhe Enver Haradinajt. Nuk duhet të harrojmë kurrë thellësinë e tragjedisë njerëzore, që nënvizon të gjithë këtë histori”, u shpreh Michael O’Reilly.

Parathënia e librit “Haga e Ramush Haradinaj” është shkruar nga ish-diplomati Soren Jessen Petersen dhe Grida Duma.

Top Channel