Institucionet e Kosovës kanë zgjedhur të pushojnë në Ditën e Europës, edhe pse kosovarët janë më të izoluarit sa i takon lirisë së lëvizjes në zonën Shengen, por edhe rrugës drejt integrimit në BE.

Ish-kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrim Europian, Vjosa Osmani vlerëson se vendi i ka kryer përgjegjësitë e veta në aspektin e miratimit të legjislacionit, por ajo mendon se ka ende shumë punë për t’u bërë në implementim.

“Kuvendi i ka kryer gjitha përgjegjësitë e veta, ka miratuar ligjet e nevojshme si dhe ka harmonizuar legjislacionin, mirëpo ato ligje nuk janë zbatuar mjaftueshëm dhe institucionet tjera duhet të bëjnë ende shumë punë”, thotë Osmani.

Gazmend Qorraj, profesor i integrimeve europiane në Universitetin e Prishtinës ka thënë se që nga koha e fillimit të proceseve integruese të Kosovës, zyrtarët kompetentë e kanë ditur se procesi integrues do të jetë i gjatë, për shkak se sipas tij një vend i dalë nga lufta nuk mund të merrej shpejt me procese integruese.

“Pritjet kanë qenë se integrimi do të zgjasë gjatë dhe këtë e kanë ditur edhe institucionet, por përfaqësuesit politikë kanë bërë fushata dhe keqinterpretime për të përfituar vota”, thotë Gazmend Qorraj, profesor UP.

Në ditën e Europës, gjitha institucionet nuk kanë punuar, ndërsa në Prishtinë janë zhvilluar aktivitete të ndryshme festive, nën organizimin e ambasadave europiane. Edhe pse në Kosovë që nga paslufta kanë punuar shumë organizata dhe mekanizma të institucioneve europiane, vendi mbetet ende larg integrimit. Hapi më i madh i bërë deri tani në këtë drejtim është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e cila pritet të formalizohet në vjeshtë.

Top Channel