
Një ditë pasi rebelët u dorëzuan dhe braktisën frontin e tyre në qytetin e Homs-it, një shpërthim i fuqishëm në godinën e një hoteli në Aleppo shkakton të paktën 14 viktima.
Hoteli ndodhej në qendër të qytetit dhe pranë pjesës historike të Aleppo-s, e dëmtuar nga konflikti 3-vjeçar. Media shtetërore në Damask raporton se godina përdorej nga ushtria si bazë e operacioneve të saj ‘anti-terroriste’ në këtë qytet.
Viktimat janë nga radhët e ushtrisë së Assad, ndërsa nga shpërthimi u rrëzuan edhe disa ndërtesa të tjera.
Autoritetet në Damask fajësuan për këtë grupet radikale rebele të lidhura me Al Kaedan që ende vazhdojnë të luftojnë për rrëzimin e Assad.
Sulmi u mor përsipër nga “Fronti Islamik”, një bashkim grupesh ekstremiste që flasin për 50 ushtarë të vrarë, por pa përcaktuar burimin e informacionit.
Shpërthimi ka dëmtuar disa ndërtesa historike në zonën antike të qytetit, pjesë e trashëgimisë kulturore botërore dhe që mbrohet nga UNESCO. Kjo e fundit ka lëshuar alarmin prej muajsh tashmë për shkatërrimin e këtyre monumenteve, një pjesë e të cilave në mënyrë të pariparueshme.
Top Channel