Pronat, AKKP zgjat funksionin edhe 1 vit

08/05/2014 00:00

Parlamenti ka votuar shtyrjen e funksionimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave edhe për një vit, gjatë të cilit do të bëhet inventari i dosjeve të pronave. Por demokratët u shprehën kundër.

“Ky ligj ka vetëm 1 nen. Tregojuni qytetarëve, nuk thotë asnjë gjë për ju qytetarë që dëgjoni. Thuhet se do zgjatet afati për një vit. A mbyllet për një vit ky proces? Nuk mbyllet”, deklaroi deputeti demokrat Eduard Halimi.

“Ne po shmangim atë që bëtë ju, që e çuat shtetin në prag katastrofe. Se kjo do të bënte që pas qershorit çdo çështje në Strasburg të ishte fituar automatikisht nga pronarët dhe të mos bëhej gjyq fare. Këtë e bëtë ju, jo ne. S’e keni çarë kokën fare. Ju bëtë një rrëmujë më të madhe se zyra e Saliut”, replikoi kryeministri Edi Rama.

Protesta e ish-të përndjekurve

Nuk pranojnë deputeten e PD, ndërpresin grevën e njoftuar

Ndërsa në Kuvend zhvillohej debati mes palëve, jashtë Parlamentit ish-të përndjekurit kishin njoftuar nisjen e një greve për dëmshpërblimin e tyre.

Por disa prej tyre reguan ashpër kur për t’i mbështetur shkoi deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda. “Ik, çfarë bëre ti në tetë vjet”, i tha njëri prej tyre deputetes demokrate.

Ish-të përndjekurit njoftuan ndërprerjen e grevës dhe deklaruan se nuk duan politizimin e grevës së tyre.

Top Channel