
Një gjykatë në Pakistan ka mundësuar lirimin me kusht të agjentit amerikan të FBI-së, që u arrestua pasi po përpiqej të hipte në bordin e një avioni me pistoletë dhe municione.
Agjenti u lirua pasi pagoi një garanci prej 1 milion rupi, ose 10 mijë dollarë amerikanë dhe iu dorëzua konsullatës amerikane në Karaçi.
Ai u ndalua pak ditë më parë në bazë të ligjeve për terrorizmin, pasi stafi i sigurisë gjeti 15 plumba për një pistoletë 9 milimetërshe në bagazhin e tij, në prag të fluturimit për në Islamabad.
Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar ndërkohë se ai kishte vetëm një detyrë të përkohshme në Pakistan dhe se armën po e transportonte aksidentalisht në bagazhin e tij.
Megjithatë, autoritetet amerikane kanë refuzuar të publikojnë identitetin e tij, edhe pse në Pakistan emri i tij është përdorur.
“Ai është një punonjës i FBI-së, me detyrë të përkohshme në Pakistan, për t’i ofruar asistencë atashehut ligjor të misionit amerikan”, deklaroi të mërkurën Jen Psaki, zëdhënëse e Departamentit të Shtetit.
Agjentët amerikanë që veprojnë në territorin e Pakistanit janë bërë shpesh herë shkak për tensionimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në të kaluarën dhe kanë ndikuar në rritjen e ndjenjës anti-amerikane në vend.
Në vitin 2011 shkaktoi një irritim masiv rasti i kontraktorit të CIA-s, Raymond Davis, i cili u arrestua në Lahore pasi qëlloi për vdekje dy persona, të cilët sipas tij po tentonin ta grabisnin.
Top Channel