
Një tërmet i fuqishëm 6,4 i shkallës Rihter ka tronditur Meksiko Sitin gjatë së enjtes, duke tundur ndërtesat e duke detyruar evakuimet nga zyrat, por ende nuk ka pasur raportime për shkatërrime apo të vdekur.
Shërbimi Gjeologjik amerikan bëri të ditur se epiqendra e tij ishte në shtetin perëndimor të Meksikës, Guerrero, në thellësinë prej 14,9 milje në Bregun e Paqësorit. E megjithatë, asnjë alarm për tsunam nuk është ngritur deri më tani.
Shërbimi amerikan Gjeologjik njoftoi se tërmeti ishte i magnitudës 6,8 dhe tha se ishte shumë në thellësi, pasi përndryshe një tërmet i tillë mund të shkaktonte dëmtime të ndërtesave, veçanërisht ndaj atyre me struktura të dobta.
Ministri i Financave, Luis Videgaray, ishte në mes të fjalimit në Pallatin Kombëtar në Meksiko Siti, kur tërmeti tronditi qytetin. “Mendoj se do të ishte më mirë të merrnim një pushim, nëse nuk e keni problem”, tha ai, teksa po largohej nga skena. Të gjithë vëzhguesit brenda u mësynë drejt dyerve të daljes.
Një përfaqësues i gjigantit shtetëror të naftës, Pemex, tha se nuk besonte që tëmeti të kishte ndonjë impakt ndaj instalimeve të tij, shumica e të cilave gjenden disi larg nga epiqendra.
Meksika, Kili dhe Amerika Qendrore janë goditur nga një seri tërmetesh përgjatë brigjeve të Paqësorit, gjatë muajve të fundit. Media meksikane raporton se nuk ka pasur dëmtime, aq më tepër në rezortin turistik të Akapulkos, pranë epiqendrës.
Një tërmet i magnitudës 8,1 në vitin 1985 la mijëra të vdekur në Meksiko Siti. Në Mars të 2012-s pati gjithashtu një tërmet 7,4 të shkallës Rihter, por që nuk shkaktoi dëme madhore.
Top Channel