Lufta për të kontrolluar Odesën

08/05/2014 00:00

Megjithëse pjesa më e madhe e traziravë në Ukrainë u regjistrua kryesisht në rajonet lindore, në ditët e fundit vemendja u fokusua në Odesa, qyteti-port në Detin e Zi, në perëndim të Ukrainës, aty ku humbën jetën 42 aktivistë, pjesa më e madhe pro-rusë.

Odesa është një qytet shumë i rëndësishëm, i treti për nga madhësia me 1 milion banorë. Ndodhet 700 km larg luftimeve që po zhvillohen mes forcave ukrainase dhe grupeve të armatosura pro-ruse në qytetet lindore.

Të hënën, qeveria e Kievit dërgoi një njësi të policisë speciale për të shuar trazirat, pasi arriti në përfundimin se policia këtu nuk ishte ne gjendje, apo i mungonte vullneti të dominonte situatën.

Eksperti për ish-republikat sovjetike në Universitetin e New Hampshire, profesori i shkencave politike Lionel Ingram thotë se, “Odesa është e një rëndësie kritike si për Ukrainën edhe për Rusinë. Është ndoshta porti i fundit i rëndësishëm që ka Ukraina në Detin e Zi, i vetmi për të dalë në oqean”.

“Kjo është e rëndësishme për Ukrainën. Është gjithashtu e rëndësishme për Rusinë për arsye psikologjike dhe politike. Është një vend i rërndësishëm në lidhje me revolucionin rus. Aty ishte flota që u rebelua kundër carit”, thotë Ingram. Profesori Ingram parashikon se nëse shpërthen dhuna, qeveria e Ukrainës do ta humbasë kontrollin.

Ndërsa analisti Mark Shrad, i Universitetit Villanova në Pensilvani, thotë se nuk do të jetë e lehtë për Odesën të ruajë paqen pas përleshjeve të ditëve të fundit.

Përveç kësaj, thotë ai, dhuna në Odesa mund të arrijë në Trans-Dniester, një rrip i ngushtë territori në Moldavi, më tutje në perëndim, që kërkon të bëhet pjesë e Rusisë, edhe pse bota nuk e njeh këtë synim.

Ai thotë se dhuna në Odesa mund të inkurajojë grupet pro-ruse të fillojnë trazira edhe në qytete të tjera, edhe aty ku janë në pakicë.

Top Channel