
Qytetarët e Kosovës do të votojnë më 8 qershor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Presidentja Atifete Jahjaga bëri publik dekretin për zgjedhjet, pasi takoi gjithë krerët e subjekteve politike.
“Me vendimin e Kuvendit të Kosovës për shpërndarjen e tij, vendi ka hyrë në një proces të rëndësishëm zgjedhor, që do të vendosë edhe të ardhmen demokratike të tij. Bazuar në konsultimet me partitë politike në vend dhe me kryetaren e KQZ-së dhe bazuar në kompetencat e mia kushtetuese dhe në respektimin të afateve ligjore, kam marrë vendimin për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend më datë 8 qershor”, deklaroi Jahjaga.
Jahjaga i bëri thirrje gjithë spektrit politik të Kosovës për një fushatë zgjedhore dinjitoze, ndërsa ftoi gjithë qytetarët që të marrin pjesë në mënyrë masive në zgjedhjet e parakohshme.
Presidentja kosovare tha se në ditët në vijim do t’u bëjë thirrje mekanizmave të Bashkimit Evropian që të dërgojnë vëzhgues për monitorimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Me të marrë dekretin për zgjedhjet, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë nisur përgatitjet për procesin. Edhe në këto zgjedhje, në pjesën veriore të saj Kosova do të kërkojë ndihmë nga jashtë për organizimin e tyre.
“Ne do të ftojmë OSBE-në për të qenë pjesë e organizimit të zgjedhjeve në pjesën veriore, mirëpo roli i saj nuk do të jetë si në zgjedhjet lokale. Ajo do të ketë më pak rol në këto zgjedhje”, deklaroi kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Ndërkohë, edhe Sekretariati i KQZ-së tashmë ka nisur përgatitjet teknike dhe brenda afateve të përshpejtuara duhet të bëjë gati fletëvotimet e 8 qershorit.
“Sekretariati i KQZ-së ka nisur menjëherë përgatitjet dhe brenda afateve të parashikuara do të arrijmë të bëjmë të gjitha përgatitjet për një proces të rregullt”, deklaroi Enis Halimi, kryetar i Sekretariatit.
Meqenëse zgjedhjet e 8 qershorit janë të parakohshme, fushata zgjedhore pritet të shkurtohet nga afatet e rregullta. Sipas burimeve të Top Channel, KQZ do të vendosë për një fushatë prej 5 apo më së shumti 7 ditë.
Top Channel