
Një gazetare e njohur kineze, Gao Yu, është arrestuar nga policia në lidhje me disa akuza kriminale të ngritura ndaj saj.
Lajmin e kanë bërë të ditur vetë autoritetet kineze, në një kohë kur në vend po afron dita e 25-vjetorit të protestave në Sheshin Tienanmen. Agjencia shtetërore e lajmeve “Xinhua” bëri me dije se 70-vjeçarja i kishte kaluar dokumente konfidenciale një faqeje të huaj interneti.
Zonja Gao ishte shpallur person i humbur që prej datës 24 prill nga familja dhe miqtë. Autoritetet konfirmuan se e kishin ndaluar atë pikërisht atë ditë. Gao u bashkohet kështu kritikëve të shumtë të qeverisë që kanë përfunduar prapa hekurave së fundmi.
Ajo e kishte siguruar dokumentin në rrugë ilegale dhe ia kishte dhënë portalit të huaj vitin e kaluar, saktësoi agjencia “Xinhua”, sipas të cilës më vonë dokumenti u përhap edhe në portale të tjera.
Ndërkohë, të enjten në mëngjes televizioni shtetëror kinez CCTV transmetoi videon e një gruaje që thuhet se ishte zonja Gao teksa pranonte krimin e bërë.
Gruaja, fytyra e të cilës ishte e mbuluar, tha: “E pranoj se kam shkelur ligjiin dhe kam vënë në rrezik interesat kombëtare. Veprimet e mia ishin të gabuara. Por tani kam mësuar nga gabimi dhe e pranoj fajin tim”.
Dokumenti thuhet se përmbante planet e qeverisë kineze për reformat ekonomike, duke ruajtur ndërkohë kontrollin për parandalimin e përhapjeve të ideve mbi demokracinë, shoqërinë civile apo lirinë e shtypit.
Top Channel