Jemen, rritet siguria në ambasadat perëndimore

08/05/2014 00:00

Ambasadat perëndimore në Jemen kanë rritur masat e sigurisë pas sulmeve gjithnjë në rritje ndaj qytetarëve të huaj nga Al-Kaeda, pas ofensivës së fundit të forcave specialeve vendase ndaj rebelëve.

Sulmi i qeverisë jemenase, i ndihmuar edhe nga SHBA-ja, kundër rebelëve, cilësohet si më i madhi ndaj këtij grupi terrorist.

Al-Kaeda së fundmi është fajësuar për sulme vdekjeprurëse ndaj forcave të sigurisë si edhe ndaj objekteve të naftës dhe të gazit në rajon.

Një agjent francez sigurie mbeti i vrarë 2 ditë më parë  dhe një tjetër është plagosur rëndë në një atentat në kryeqytetin e Jemenit, Sana. Ata ishin në një makinë duke mbrojtur misionin e Bashkimit Evropian, kur u qëlluan nga një person i paidentifikuar.

Autoritetet vendase kanë bërë të ditur se forcat e sigurisë kanë marrë nën kontroll edhe rajonin e Azanit, bastioni i fundit i mbajtur nga rebelët, pas një ofensive, e cila nisi 10 ditë më parë.

Bashkimi Europian tha të enjten se kishte kufizuar numrin e personelit në Jemen, ndërsa Franca urdhëroi diplomatët e saj të kufizojnë lëvizjet e tyre.

Top Channel