Financimet gjermane në Shqipëri

08/05/2014 00:00

Shqipëria dhe Gjermania kanë nisur bisedimet për finalizimin e një
protokolli bashkëpunimi, i cili synon thithjen e një granti prej miliona
eurosh, për periudhën 2014-2015.

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, gjatë takimit me delegacionin gjerman, deklaroi se bashkëpunimi ekonomik me Gjermaninë do të ndihmojë shumë në përmirësimin e mirëqenies së shqiptarëve.

“Janë 19 milionë euro grant. Duhet theksuar që Gjermania është tashmë donatori, partneri më i madh për Shqipërinë pas BE. Me tre protokollet e fundit është angazhuar një fond prej 200 milionë eurosh për të financuar një numër të madh projektesh shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Angazhimet gjermane në fushën e energjetikës, që presin të nënshkruhen arrijnë në 90 milionë euro. Siguria e digave në Kaskadën Mat-Drin, linja e transmetimit 400 kV me Maqedoninë, projekti për ndërtimin e unazës energjetike në jug të vendit, apo linja  e interkonjeksionit me Kosovën”, tha Peleshi.

Zëvëndëskryeministri Peleshi theksoi se “ky bashkëpunim me Gjermaninë vjen pas takimit të kryeministrit Rama me kancelaren Merkel”.N

Në fjalën e tij ambasadori gjermanisë Helmut Hofman vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

“Dëshiroj të theksoj se Gjermania mbështet me forcë integrimin Shqipërisë në BE. Shqipëria ka potencial të madh dhe ne duam të japim mbështetjen tonë në zhvillimin e mëtejshëm. Gjermania mbështet Shqipërinë edhe në sektorë të tillë që kanë të bëjnë me qeverisjen e mirë dhe zhvillimin e kapaciteteve. Shqipëria duhet të ketë besim se Gjermania do jetë edhe në të ardhmen një partner i fuqishëm i saj”, tha Hofman.

“Për ne është mjaft e rëndësishme që partnerët tanë të jenë iniciatorë të këtyre projekteve”, theksoi ambasadori.

Top Channel