
Pavarësisht apelit të Vladimir Putin-it për shtyrjen e referendumit të shkëputjes nga Ukraina, aktivistët pro-rusë në rajonet lindore të vendit njoftuan mbajtjen e votimit këtë të diel, ashtu siç ishte caktuar fillimisht.
Lëvizja e tyre, me sa duket, ishte pasojë e konsultimeve me mbështetësit, të cilët e shohin këtë hap si të vetmen mënyrë për të shmangur luftën.
“Njerëzit e duan mbajtjen e referendumit, janë të përgatitur për të. Ata thonë: arritëm deri këtu, jemi gati për gjithçka, po presim vetëm fletët e votimit, që njerëzit të vijnë e të shprehin vullnetin e tyre”, tha Nikola Nikitin, pjesëtar i lëvizjes separatiste.
Sipas liderit separatist të rajonti të Donjeckut, vendimi ishte unanim.
“Ne, thjesht përcollëm dëshirën e njerëzve, të cilën e demostrojnë fare qartë përmes veprimeve të tyre”, tha Denis Pushilin, lider pro-rus.
Miliona fletëvotimi janë gati tashmë. Pyetja, së cilës votuesit do të duhet t’i përgjigjen, është: A e mbështesni aktin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës Popullore të Donjeckut?
Apeli i Putin-it për shtyrjen e votimit u konsiderua pjesë e një përpjekjeje për zbutjen e acarimeve, si dhe për të negociuar një marrëveshje me Perëndimin. Por, shefi i Kremlinit i intensifikoi sërish tensionet me urdhrin për një stërvitje ushtarake, që – sipas agjencive ruse të lajmeve – ishte simulim i një goditjeje masive bërthamore, si kundërpërgjigje ndaj një sulmi armik.
Për më tepër, trupat e Moskës – sipas SHBA-ve dhe NATO-s, – nuk janë larguar nga kufiri me Ukrainën, siç pretendoi një ditë më parë presidenti rus. Në Ukrainë, shumë vetë shprehën shqetësimin se referendumi mund t’i japë shkas intensifikimit të dhunës, ndërsa Kievi zyrtar e bëri të qartë se nuk do t’i njohë rezultatet e tij, dhe se operacionet anti-terror do të vazhdojnë.
Top Channel