Përplasja Kinë-Vietnam

07/05/2014 00:00

Forcat detare vietnameze dhe ato kineze u përplasën me njëra-tjetrën në jug të Detit të Kinës, në ujëra për të cilat të dyja vendet pretendojnë sovranitetin.

Incidenti ndodhi në një zonë ku besohet se fshihen pasuri të mëdha nëntokësore, kryesisht naftë dhe gaz. Marina vietnameze ndërhyu në momentin kur anijet kineze nisën shpimin për hapjen e një pusi nafte.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP raporton për disa persona të lënduar, megjithëse si pala vietnameze ashtu edhe ajo kineze thonë se nuk janë përdorur armët luftarake.

Autoritetet në Vietnam deklarojnë se ndaj anijeve të tyre janë përdorur ujëhedhësa, e për pasojë disa marinarë kanë mbetur të plagosur.

Agresiviteti i Kinës karshi fqinjëve të saj mbi pretendimet në Detin e Kinës kanë rritur tensionet vitet e fundit në rajon. Muaj më parë, Pekini shpalli zonë ekskluzive një pjesë të këtij deti, sovraniteti i të cilës pretendohet edhe nga Japonia.

Përvec Japonisë dhe Vietnamit, Pekini ndodhet në përplasje të tilla edhe me Korenë e Jugut dhe fqinjët e tjerë të tij.

Top Channel