Nishani ankohet tek ambasadorët e NATO

07/05/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në takimin që pati me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, rezidentë në Tiranë, u shpreh se është i gatshëm të mbështesë reformat e mazhorancës në fushën e sigurisë.

Por, sipas njoftimit zyrtar të bërë nga Presidenca, zoti Nishani është shprehur i shqetësuar tek diplomatët për transparencën, mungesën e konsultimeve paraprake dhe koherencën që këto ndryshime ligjore duhet të kenë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, për respektimin e parimit të kontrollit dhe balancës së pushteteve dhe ruajtjen nga politizimi për vendimmarrje strategjike.

Për këto shqetësime, presidenti Nishani iu referua konkretisht tre projektligjeve të fundit të propozuara nga mazhoranca, që kanë të bëjnë me gradat dhe karrierën në ushtri, zinxhirin e komandimit, si dhe projektligjin për agjencitë e inteligjencës dhe sigurisë së mbrojtjes.

Sipas zyrës së shtypit, presidenti Nishani shprehu gjithashtu mendimin edhe për Projekt-Strukturën e Forcave të Armatosura, duke vënë në dukje mangësi kritike përsa i përket procesit, edhe nga ana ligjore.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes, edhe ajo përmes një njoftimi për shtyp, replikon me presidentin duke u shprehur se, komentet e bëra nga zoti Nishani janë absolutisht pa lidhje.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, tre ligjet në fjalë, jo vetëm që janë asistuar teknikisht nga ekspertë të NATO-s, por janë konsultuar me çdo aktor, përfshirë edhe Presidencën, si dhe janë në përputhje të plotë me ligjin dhe Kushtetutën.

Ministria e Mbrojtjes thotë se, “presidenti ka si përgjegjësi vetëm atë i ngarkon Kushtetuta dhe se të tjera kërkesa janë atavizma të komunizimit”, duke i kujtuar se ministria do të ishte e gatshme t’i dëgjonte vërejtjet direkt nga presidenti dhe jo përmes ambasadorëve të vendeve anëtare të NATO-s.

Top Channel