Ekspertë amerikanë në Nigeri për rrëmbimet

07/05/2014 00:00

Një grup ekspertësh amerikanë janë dërguar në Nigeri për të ndihmuar autoritetet vendase për gjetjen e më shumë së 200 vajzave të rrëmbyera nga një shkollë nga militantët e grupit islamik Boko Haram rreth një muaj më parë.

Presidenti amerikan Barack Obama tha se ekipi përbëhet nga personel ushtarak, nga zbatimi i ligjit dhe nga agjenci të tjera. Ai u shpreh se kjo ngjarje mund të nxisë ndërkombëtarët të ndërmarrin veprime nga terroristëve të Boko Haram.

“Ne kemi dërguar një ekip me një kombinim forcash ushtarake, të cilët do të përpiqen të lokalizojnë zonën ku mbahen vajzat. Kjo është një ngjarje e tmerrshme ”, tha Obama, duke e cilësuar organizatën Boko Haram si më të rrezikshmen në atë rajon.

Rrëmbimi i fundit mendohet të ketë ndodhur gjatë ditës së djeshme. Militantët kanë marrë peng edhe 8 vajza të tjera nga një fshat pranë bastionit të tyre në veri-lindje të Nigerisë.

Një burim i policisë, i cili nuk u identifikua, tha se vajzat janë marrë me kamionë, së bashku me bagëti të grabitura dhe dru.

Lideri i Boko Haram, Abubakar Shekau, kërcënoi nëpërmjet një video të publikuar për mediat, gjatë së hënës, se do t’i shiste vajzat e rrëmbyera në treg, duke iu referuar atyre të marra peng nga shkolla më 14 Prill.

Pengmarrja nga islamikët, të cilët thonë se po luftojnë për vendosjen e një shteti islamik në Nigeri, kanë shokuar një vend të prekur gjatë prej dhunës, sidomos në rajonet veri-lindore.

Boko Haram, një nga kërcënimet kryesore të sigurisë së shtetit afrikan, prodhuesi kryesor i energjisë, është duke përjetuar rritje konstante dhe po armatoset gjithnjë e më mirë.

Top Channel