Basha: Legalizimet, 13 herë më shtrenjtë

07/05/2014 00:00

Me temë “Mashtrimi me legalizimet” kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një takim me qytetarët për të denoncuar atë që ai e cilësoi mashtrim të qytetarëve nga qeveria e kryeministrit Rama.

Pasi bëri një historik në këndvështrimin e demokratëve të këtij problemi, që prek mijëra shqiptarë në gjithë territorin e vendit, Basha akuzoi Kryeministrin se po bën shfaqje me ndarjet e tapive, të cilat në të vërtetë, sipas Bashës janë tapi të përfunduara nga qeverisja e Partisë Demokratike që po shpërndahen tani.

“Legalizimet nisën me Partinë Demokratike. Ligji parashikonte në fillim legalizimin dhe pastaj urbanizimin. 270 mijë aplikime, 107 mijë objekte patën kalimin me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe aty ku trualli nuk ishte i qytarëve që zotëronin objektin pa leje, po me VKM ky truall i shpronësua. 70 mijë fatura financiare u përgatitën dhe janë akoma pa paguar. 40 mijë dosje u përgatiten, u paguan faturat dhe mbeti vetëm shpërndarja. Janë ato që po shpërndan Kryeministri sot, ato që ai i quan Shaban-tapi”, tha Basha.

Për Partinë Demokratike jo vetëm që nuk do të ketë legalizim falas, por përkundrazi, cmimi që qytetarët do të duhet të paguajnë për të dokumentuar pronat e tyre, do të rritet ndjeshëm.

“Premtoi ligjin para janarit, sot jemi më 7 maj dhe ligji akoma nuk ka kaluar. Më e keqja është se ligji ka ardhur në parlament dhe nëse do kishte ardhur me premtimin për legalizime falas, sot nuk do të ishim këtu me ju, por do kishim burrërinë të dilnim të thonim që Edi Rama premtoi legalizim falas dhe po bën legalizim falas. Në projektligjin e ri nuk ka asnjë nen, asnjë rresht që të thotë se legalizimi është falas. Në ligjin e ri ka një sërë nenesh të rrezikshme për qytetarët dhe xhepin etyre. Në propozim Kryeministri nga cmimi favorizues për gjithë parcelën, tani thotë do paguhet në këtë cmim jo më shumë se 3-fishi i gjurmës së objektit dhe pjesa tjetër do të paguhet para të thata me cmim tregu. Mirë që nuk ka legalizim falas, por rritet edhe cmimi. Kështu sic e ka propozuar kryeminsitri cmimi rritet shumë, në Tiranë dhe cdo rreth”, deklaroi kreu i PD.

Përvec kësaj, sipas Bashës, ligji i propozuar përjashton një numër të madh qytetarësh nga legalizimi në varësi se ku ndodhet prona e tyre dhe në varësi se cfarë është prona e tyre.

Reagon PS: Po mbajmë premtimin

Partia Socialiste ka reaguar pas deklaratës së kreut të PD-së duke thënë se mazhoranca po mban premtimin e dhënë, ndërsa ftoi opozitën që të votojë ligjin për legalizimet.

“8 vjet në qeveri të Partisë Demokratike pati vetëm premtime të pambajtura. Ndërsa tani premtimi i mbajtur nga Rama dhe mazhoranca po realizohet. I bëjmë thirrje opozitës ta votojnë ligjin. Ata nuk kanë pse mbajnë peng të gjithë shqiptarët që sot kanë mundësinë të legalizohen”, deklaroi deputetja socialiste, Olta Xhaçka.

Top Channel