Një ditë pas miratimit në Komisionin Parlamentar të mjeteve të
informimit publik për nisjen e procedurës të zëvendësimit të vendeve
vakante në AMA, reagoi opozita nëpërmjet kreut të grupit parlamentar Edi
Paloka.

“Atë që nuk qenë në gjendje ta bëjnë ballazi me ndryshim ligjor e bënë nga deriçka, duke detyruar nëpunësit e Kuvendit të mohojnë dokumentet e firmosura më parë prej tyre, e te pohojnë nën presion se samari fluturon, e se mandati i kryetarit të AMA-s ka vite qe ka mbaruar. Opozita nuk e njeh për të ligjshëm këtë veprim të Ramametës dhe do ta kundërshtojë atë me çdo mënyrë”, u shpreh Paloka.

Ndërsa, Alfred Peza, nënkryetari i Komisionit të Mjeteve të Informimit Publik, në një deklaratë nga kryesia e Kuvendit ftoi opozitën të bëhet pjesë e këtyre reformave të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me procesin e dixhitalizimit dhe funksionimin e televizionit publik.

“Është shumë e qartë ligjërisht, se shpallja e vendeve vakante në AMA u bë për shkak se mandati i 4 anëtarëve, ka përfunduar prej kohësh. Kjo ka bërë që prej shumë muajsh, puna në AMA të jetë e bllokuar, për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm për mbledhjen dhe vendimmarrjen në këte institucion. Gjatë vitit 2013, nga 19 mbledhje të zhvilluara në AMA, 13 prej tyre kanë qenë të paligjshme. Të gjitha hapat ligjore të ndërmarrë deri tani nga mazhoranca parlamentare kanë synuar zhbllokimin e ngërçit të krijuar, për ta futur punën dhe veprimtarinë e AMA në shtratin normal, ligjor dhe kushtetues. Kjo mazhorancë është e vendosur që të respektojë ligjin dhe vetëm ligjin në mënyrë që AMA të jetë pjesë e realizimit në kohë dhe me cilësi të reformave rregullatore në fushën e transmetimeve radiotelevizive. Në emër të mazhorances, i bëj thirrje opozitës që të bashkëpunojë dhe të përfshihet në procesin e reformimit të AMA. Gjithashtu i kërkojmë kolegëve tanë në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik që të zhbllokojnë sa më parë, vendimarrjen konsensuale për reformën në Radio Televizionin Publik”, tha Peza.

Dështon mbledhja e Bushatit

Ndërsa politika është përfshirë në debatet për AMA-n, ka dështuar tentativa e radhës e Endira Bushatit për të zhvilluar një mbledhje të këshillit të këtij institucioni.

Rreth orës 10 paraditen e të mërkurës në godinën e AMA-s janë paraqitur vetëm dy anëtarët e këshillit, fillimisht Sami Neza dhe më pas Suela Musta. Pasi kanë qëndruar për më shumë se një orë në zyrat e AMA-s ata kanë dalë pasi mbledhja nuk është zhvilluar. Anëtarja këshillit Suela Musta deklaroi se mbledhja nuk u zhvillua pasi nuk u arrit koorumi i nevojshëm.

Një ditë më parë Alfred Peza deklaroi se  pas miratimit ne komisionin e medias te vakances per vendin e kryetarit, cdo mbledhje dhe cdo vendim tjeter i zonjes Bushati eshte jo vetem i paligjshem, por me shume se kaq”.

Top Channel