Opozita siriane, zyrë në Uashington

06/05/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se do të lejojnë aleancën kryesore të opozitës siriane që të hapë një mision diplomatik në Uashington.

Departamenti i Shtetit njoftoi gjithashtu një ndihmë prej 27 milionë dollarësh në formë asistence joushtarake dhe nisjen e shpërndarjes për Ushtrinë Çlirimtare Siriane.

Lëvizja e Uashingtonit vjen në prag të bisedimeve mes zyrtarëve amerikanë dhe Ahmed Jarba, president i Koalicionit Kombëtar. Bëhet fjalë për grupin e parë të njohur nga Shtetet e Bashkuara si përfaqësuesi legjitim i popullit sirian në dhjetor 2012.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Amerika njeh Koalicionin Kombëtar si qeverinë e Sirisë dhe nuk u garanton përfaqësuesve të saj imunitet diplomatik, raporton e dërguara e BBC në Uashington.

Gjithashtu, lëvizja nuk i lejon opozitës që të marrë kontrollin e ambasadës siriane, operacionet e të cilës u pezulluan nga Departamenti i Shtetit në muajin mars.

Por një zyrtar amerikan, në kushte anonimati, tha për “Associated Press” se hapja e misionit diplomatik ka qenë një kërkesë kyçe e opozitës siriane, pasi besojnë se ai do t’u japë atyre një prani më të theksuar dhe më shumë besueshmëri tek Uashingtoni dhe sirianët e çatdhesuar në Shtetet e Bashkuara.

Kryetari i koalicionit sirian, zoti Jarba deklaroi se lejimi i hapjes së misionit diplomatik i jep një goditje regjimit të Assad dhe tregon se sa shumë opozita siriane ka avancuar.

Konflikti sirian filloi me protesta paqësore në marsin 2011, por që atëherë është kthyer në një luftë civile që ka lënë rreth 150 mijë persona të vdekur dhe ka zhvendosur 9 milionë të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB