Ankaraja hedh poshtë bashkëpunimin trepalësh të mbrojtjes, akuzon Greqinë për shkelje të hapësirës ajrore mbi Egje
Një polumbar civil që kërkonte trupat në tragetin e mbytur në Korenë e
Jugut muajin e kaluar ka vdekur, njoftuan autoritetet lokale. Sipas
zyrtarëve, zhytësi 53-vjeçar humbi ndjenjat dhe ndërroi jetë më vonë në
spital.
Ai është viktima e parë që regjistrohet mes zhytësve që po zhvillojnë kërkimet në tragetin e mbytur, ngjarje kjo e ndodhur më 16 prill, teksa në bord ndodheshin 476 persona.
Vetëm 174 vetë mbijetuan, ndërsa shumë të tjerë mbetën të bllokuar brenda mjetit lundrues. Deri tani, vdekjet e konfirmuara nga kjo tragjedi janë 262, ndërsa 40 persona të tjerë konsiderohen të humbur, edhe pse gjasat që të gjenden të gjallë janë minimale.
Agjencia shtetërore e lajmeve “Yonhap” raportoi se zhytësi, i identifikuar me mbiemrin e tij, Lee, ishte një veteran i një kompanie detare, e specializuar në inxhinjeri dhe operacione shpëtimi.
Ai humbi ndjenjat pak pasi ishte zhytur në 25 metra thellësi, në orët e para të së martës. Kolegët e tij humbën komunikimin me të dhe pas kërkimeve arritën ta nxirrnin në sipërfaqe. Kjo ishte zhytja e tij e parë për tragetin “Sewol”.
Kryeministri koreano-jugor ka urdhëruar zyrtarët qeveritarë që po mbikëqyrin operacionet që të kontrollojnë me rigorozitet gjendjen shëndetësore të polumbarëve.
Ata janë përballur me motin e keq dhe rrymat e forta detare, në përpjekjet për të nxjerrë trupat e pajetë nga trageti, kur kanë kaluar tre javë nga mbytja e tij. Gjithashtu, brenda mjetit lundrues ata duhet të përballen me pjesë të tij të këputura dhe të notojnë në korridoret e gjata të tij.
Agjencia “Yonhap” shkroi në edicionin e saj online se një tjetër zhytës civil, 31 vjeç, humbi ndjenjat javën e kaluar pasi ishte zhytur katër herë përpara se të vinte agimi. Ndërsa të tjerë në disa raste i janë nënshtruar terapisë me oksigjen në disa qendra mjekësore.
Top Channel