Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fule, i ka porositur krerët e institucioneve të Kosovës të organizojnë zgjedhje të lira dhe demokratike, si dhe të vazhdojnë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Fule ka marrë pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, ku ka deklaruar se Kosovës i duhet me urgjencë zhvillimi socio-ekonomik.

Në takimin me kryeministrin Hashim Thaçi, Fule ka folur edhe për sukseset që ka shënuar Kosova në procesin e integrimit.

“Sa herë që vij këtu, shënoj një etapë të mëtejshme të marrëdhënieve të Kosovës me BE-në. Para dy vjetësh, ne njoftuam studimin e fizibilitetit për MSA-në. Vitin e kaluar, unë raportova për mbylljen e studimit, ndërsa tani përfunduam negociatat për MSA-në. Me bashkëbiseduesit e mi të deritanishëm, ne shqyrtuam çështje që lidhen me reformat e BE-së. Diskutimet tona ishin në tri drejtime kryesore, në axhendën BE-Kosovë për këtë vit”, tha Stefan Fule.

Fule, po ashtu, nuk ka harruar të lavdërojë kosovarët për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe formimin e Gjykatës Speciale, që do të trajtojë krimet e pretenduara nga raporti i senatorit zviceran Dick Marty.

Nga ana e tij, kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se përmbushja e kushteve për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit është bërë falë bashkëpunimit me Brukselin. Në takimin me komisionerin Fule, kryeministri kosovar ka diskutuar edhe për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

“E njoftova komisionerin, se Qeveria e Kosovës ka vazhduar të adresojë prioritetet e tjera të axhendës se integrimit europian, dhe veçanërisht ato të dala nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Kosova  ka përmbushur të gjitha kushtet që i janë vënë përpara, ndaj dhe besoj se gjithë mundi i investuar do të njihet, dhe se qytetarëve të Kosovës do t’iu njihet e drejta e tyre për të lëvizur pa viza nëpër vendet e BE-së, së shpejti”, tha Hashim Thaçi.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, komisioneri Stefan Fule i ka siguruar krerët e institucioneve se Bashkimi Europian do ta mbështesë Kosovën me gjithë mekanizmat e vet, për të përshpejtuar rrugën drejt përmbushjes së kritereve për integrimin në BE.

Top Channel