Egjipt, asnjë lider i regjimit “Mubarak” në zgjedhje

06/05/2014 00:00

Një gjykatë egjiptiane ka vendosur të martën të ndalojë kandidimin e ish-liderëve të partisë autokratike të ish-presidentit Hosni Mubarak në çdo zgjedhje të ardhshme, por nuk bëri të ditur emra të veçantë, duke hedhur dyshime mbi mungesën e qartësisë që mund të dobësojë ndikimin e kësaj lëvizjeje.

Partia Demokratike Kombëtare e Mubarakut fitoi të gjitha zgjedhjet gjatë regjimit të tij 30-vjeçar, më së shumti duke manipuluar rezultatet, duke marxhinalizuar sfiduesit e besueshëm dhe duke shtypur disidentët, por në fund u shpërbë në vitin 2011, pas trazirave popullore që rrëzuan presidentin e atëhershëm.

Megjithatë, që prej atëherë, tranzicioni demokratik i Egjiptit nuk ka pasur zhvillimet e pritshme, thonë kritikët, duke ndaluar dhe duke shpërbërë Vllazërinë Muslimane pas rrëzimit nga ushtria të presidentit të parë të zgjedhur në rrugë demokratike, islamikun Mohamed Mursi në 2013-n, si dhe duke goditur gjerësisht islamikët dhe opozitën liberale.

Zgjedhjet presidenciale do të mbahen këtë muaj, të cilat pritet gjerësisht t’i fitojë ish-shefi i ushtrisë Abdel Fattah al-Sisi, nga i njëjti formacion ushtarak që ka dominuar politikën egjiptiane për 6 dekada.

Sisi, në intervistën e tij të parë televizive të hënën, tha se Vllazëria Muslimane, e cila fitoi 5 zgjedhjet e radhës pas rrëzimit të Mubarak, është tashmë “e mbaruar” dhe nuk do të mund të ekzistojë nëse ai bëhet president.

Në vendimin e tij kundër zyrtarëve të epokës së Mubarak, gjykatësi Karim Hazem nuk përmendi asnjë numër, emër, apo titujt e dikurshëm të personave që preken prej këtij vendimi, duke nxitur akuza dykuptimësie nga opozita, të cilat mund të përfundojnë deri te lejimi i disa prej kandidatëve të cilët i përkasin regjimit të vjetër.

“Vendimi nuk ishte i qartë dhe nuk i përgjigjet kërkesës sonë. Ne duam që drejtësia të dënojë ata që kanë kryer krime, qoftë politike qoftë kriminale, dhe jo të gjithë egjiptianët e asaj periudhe”, tha aktivisti egjiptian dhe gjykatës me profesion, Gamal Eid.

Burime nga drejtësia thanë se gjykatësi nuk mund të përmendte emrat e zyrtarëve që preken nga vendimi, pasi këtë detyrë e ka komiteti zgjedhor.

Top Channel