Breedlove: Kremlini, jo agresion ndaj Ukrainës

06/05/2014 00:00

Komandanti më i lartë i NATO-s në Europë, Philip Breedlove, nuk mendon se Rusia do ta pushtojë Ukrainën.

Kremlini – sipas tij, – ka mënyra të tjera për të arritur qëllimet e veta. Përpara një audience në Otava të Kanadasë, gjenerali skicoi një skenar më pak të dhunshëm për situatën në vendin e trazuar prej muajsh tashmë.

Vladimir Putin – tha lideri ushtarak, – do të vazhdojë të bëjë atë që po bën aktualisht; krijimin e trazirave, diskreditimin e qeverisë ukrainase, si dhe nxitjen e lëvizjes separatiste.

Parashikimet e Breedlove shohin përpjekjet e Moskës për ta mbajtur nën kontrollon lindjen e vendit fqinj, por pa dërguar trupat e rregullta përtej kufirit.

“Është e qartë, që forcat speciale ruse operojnë brenda Ukrainës, ashtu siç bënë para shkëputjes së Krimesë. Edhe atëherë, Putin e mohoi praninë e tyre, por tani thotë që ushtarët e Moskës kishin qenë në gadishull. Ajo që pamë në Krime ka shumë gjasa të ndodhë edhe me lindjen e Ukrainës”, u shpreh Philip Breedlove, komandant i NATO-s, për Europën.

40,000 trupat ruse në kufi me Ukrainën e mbajnë gjallë frikën e pushtimit të vendit fqinj. Por Breedlove, që deri përpara një jave e pranonte mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake të Moskës, sot nuk është më dhe aq i bindur, se Kremlini do të zgjedhë të ndjekë linjën e agresionit.

Putin mund t’i arrijë objektivat e tij në lindje të Ukrainës edhe pa qenë nevoja të dërgojë ushtarët e vet në rajon, thotë gjenerali, i cili nuk sqaroi megjithatë, nëse ishin trupat ruse ato që rrëzuan tre helikopterë ukrainas javën e kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB