Shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur mbetet peng i deputetëve serbë, vota e të cilëve sipas Kushtetutës është e domosdoshme.

Kuvendi i Kosovës as të hënën nuk votoi për këtë çështje pasi serbët kanë vënë kushtëzime që në këmbim të votës për FAK-un të votohet vazhdimi i vendeve të rezervuara edhe për një mandat.

Kjo qasje shtyn shqiptarët që të shqyrtojnë ndryshimin e Kushtetutës. Në kushte anonimati deputetët thonë se në tryezën e bisedimeve është heqja e votës së serbëve për votim të dyfishtë, në mënyrë që kushtëzimet për çështje madhore të marrin fund.

Ndonëse nuk dha shumë sqarime, këtë e konfirmoi shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini. “Unë thash se sot nuk ka kushte për votim, sepse me Kushtetutën aktuale na duhen dy të tretat e deputetëve për votim të dyfishtë. Ose duhet t’i kemi këta deputetë, ose duhet ta ndryshojmë këtë provizion të Kushtetutës. Rrugë të mesme nuk ka”, deklaroi Gjini.

Nga ana tjetër, deputetët serbë prej një muaji bojkotojnë punimet e Kuvendit, ndërkohë që disa prej tyre kanë shkuar edhe në Beograd për t’u konsultuar.

Qëndrim të palëkundur ndaj vendeve të rezervuara për serbët mban LDK-ja, e cila sipas shumicës në Kuvend, duke mos e pranuar këtë kompromis po rrezikon ta shtyjë për një kohë të pacaktuar formimin e ushtrisë.

“Çështja e kërkesës së minoriteteve për ne nuk duhet të shqyrtohet sepse janë përmbushur të gjitha kërkesat. Ekzistojnë të gjitha ligjet dhe kriteret për garantimin e sigurisë për pakicat. Ne jemi të qartë, votojmë pro FAK, por vendet e rezervuara në asnjë rrethanë”, deklaroi kryetari i grupit Ismet Beqiri.

Të përfshirë në diskutimet për të gjetur një zgjidhje si për Forcat e Armatosura ashtu edhe për vendet e rezervuara, edhe përfaqësuesit ndërkombëtar thonë se nuk e dinë se si do të jetë fundi.

Të paktën në këtë mënyrë përgjigjet ambasadori britanik Ian Cliff pak minuta pas vendimit të Kuvendit për shtyrje të seancës. “Nuk kam asgjë për të thënë. Nuk di çfarë të them”, tha Cliff.

Top Channel