
Ministria egjiptiane e Objekteve Antike e kremtoi me një ceremoni të posaçme në aeroportin ndërkombëtar të Cairo-s kthimin e tre artefakteve të vjetra, të dërguara fshehurazi 5 vjet më parë në Gjermani.
Besohet se sendet në fjalë duhet të shiteshin në Belgjikë, por u zbuluan në doganën gjermane gjatë tentativës për t’i kaluar me një kamion.
Mes tyre përmendet një obelisk në miniaturë, i vlerësuar nga ekspertët, daton 2.300 vjet para Krishtit, një skulpturë e disa anëtarëve të së njëjtës familje dhe një relike të shenjtë.
Sipas zyrtarëve vendas, kthimi i këtyre objekteve është pjesë e përpjekjeve intensive për të luftuar fenomenin e nxjerrjes së artefakteve të paçmuara nga Egjipti.
“Rikthimi i këtyre sendeve është tregues i angazhimit tonë të palodhur për të kthyer mbrapsht çdo objekt të vjedhur e të larguar nga Egjipti ilegalisht. Po punojmë shumë për këtë qëllim e nuk do të ndalemi derisa t’i kthejmë të gjitha artefaktet tona”, tha Mohamed Ibrahim, ministër i Antikuarëve.
Trazirat që përfshinë Egjiptin dhe shtete të tjera të rajonit pas pranverës arabe në 2011-ën, nuk i lejuan autoritetet të frenonin vjedhjen e artefakteve e të pengonin kontrabandistët për t’i dërguar objektet në vende të tjera.
Gjatë tre viteve të fundit, Egjipti ka mundur të rigjejë të paktën 1,400 objekte të tilla, por jo të gjitha.
Sipas Mohamed Ibrahimit, Cairo po punon ngushtësisht për këtë qëllim me Shtetet e Bashkuara, tregu më i madh në botë i objekteve të grabitura egjiptiane.
Ministri shton se shumë shpejt, Kongresi Amerikan do të miratojë një projektligj, i cili do të firmoset më pas nga Presidenti Barack Obama, ku parashikohen masa urgjente për frenimin e tregtisë së antikuarëve të grabitura egjiptiane.
Top Channel